Çfarë lidhshmërie ka pllaka përkujtimore e UÇPMB-së në Preshevë dhe memoriali i Komandant Lleshit
Lokale

Çfarë lidhshmërie ka pllaka përkujtimore e UÇPMB-së në Preshevë dhe memoriali i Komandant Lleshit

30.Apr.2021 08:54
0

Sipas informacioneve jozyrtare, në zonën e tre komunave në jug të Serbisë, ka më shumë se 30 memoriale për anëtarët e UÇPMB-së, policë dhe ushtarë të cilët vdiqën gjatë bombardimeve të NATO-s ose gjatë konflikteve në jug të Serbisë në 2000 dhe 2001.

Marko Millosavljeviq nga organizata Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), i tha Radios Evropa e Lirë se shteti i Serbisë dëshiron të ketë një monopol në përkujtimin e ngjarjeve nga konfliktet e luftës të viteve 1990.

Ai thotë se Ministria e Punës është ligjërisht përgjegjëse për këtë çështje.

"Duhet të përcaktohet nëse ka pasur një propozim nga një grup qytetarësh ose autoritetet lokale për të ngritur këtë memorial", tha ai.

"Unë mendoj se policia nuk është kompetente për këtë rast, pasi vetëm në bazë të vendimit të ministrisë, ne mund të dimë se çfarë po ndodh me këtë memorial, nëse ndërtimi ka filluar", thotë Millosavljeviq.

Millosavljeviq tha se monumentet për pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë serbe u ngritën në zonën e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ku jeton shumica e popullsisë shqiptare.

"Që një kohë të gjatë keni një monument afër Bujanocit, dhe unë mendoj se për shoqërinë serbe dhe posaçërisht për shtetin e Serbisë do të jetë problematike që ka memoriale të ndryshme për njerëzit që ishin në anët e kundërta”, thotë ai.

"Vetëm një dialog rreth atyre memorialeve mund të çojë në pajtim dhe paqe të qëndrueshme", përfundoi Millosavljeviq.

Cilat monumente janë zhvendosur?

Për shkak të reagimeve publike, disa nga monumentet në zonën e Serbisë së Jugut janë zhvendosur nga një vend në tjetrin.

Vëmendjen më të madhe e mori një monument, i ndërtuar nga mermeri, ku ishin të vendosur 27 emra të luftëtarëve të vrarë të UÇPMB-së, që u zbulua në nëntor të vitit 2012, në qendër të Preshevës.

Tre muaj më vonë, 200 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe e hoqën këtë monument, pavarësisht reagimeve të shumta nga politikanët shqiptarë.

Arsyetimi kryesor i autoriteteve serbe ishte se ngritja e këtij monumenti ishte bërë pa lejen e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Nish.

Sidoqoftë, udhëheqësi i SPS-së, njëherësh kryeministri i atëhershëm i Serbisë – kryetari aktual i parlamentit – Ivica Daçiq, e kishte quajtur këtë monument “provokim ndaj të cilit shteti duhet të reagojë”. Atëbotë, zëvendëskryeministri i parë, aktualisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu, publikisht kishte kërkuar heqjen e monumentit.

Heqja e monumentit shkaktoi tensione të mëdha në atë pjesë të Serbisë dhe operacioni u krye në orët e para të mëngjesit.

Në mesin e vitit 2015, u hoq edhe monumenti i ngritur në nder të 12 pjesëtarëve të policisë serbe, të vrarë te fshati Lluçan. Monumenti u zhvendos në oborrin e një kishe në Banjë të Bujanocit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova-REL
Qëndrimi i mundshëm i Kosovës karshi normalizimit me Serbinë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration