Lokale
Bujanoci rrezikohet që të humbet
Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë kërkuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të aplikojnë standarde të njëjta për zgjedhjet e 6 majit, si për serbët e Kosovës po ashtu edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë, shkruan zëri.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kërkojnë nga OSBE-ja që të krijojnë kushte që shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë të shkojnë lirshëm më 6 maj për të votuar në Luginë. Po ashtu lidershipi nga Bujanoci kërkon nga të gjithë shqiptarët që të shkojnë më 6 maj, sepse rrezikohet që të humbet kjo komunë.
Ndryshe, sipas disa informatave që janë dhënë në media, Serbia përmes kolonëve të saj të vendosur në komunën e Bujanocit do të mundë të rrezikojë fitoren e kësaj komune nga ana e partive shqiptare.
Ky shqetësim është shprehur përmes një reagimi të intelektualëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që partitë politike shqiptare në komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, të bëjnë të mundur përfshirjen sa më masive të shqiptarëve të zhvendosur të këtyre komunave.
Siç mësohet në komunën e Bujanocit tashmë janë vendosur 3650 serbë të vendeve të ndryshme, sidomos nga Kosova, të cilët janë pajisur me dokumente serbe dhe mund të jenë votues potencialë që do të rrezikojnë komunën e Bujanocit për të fituar njëri nga kandidatët shqiptarë.
Intelektualët shqiptarë kërkojnë ndërhyrjen e OSBE-së në këtë rast dhe parandalimin e keqpërdorimeve, ndërsa nga ana tjetër, po nga kjo organizatë kërkojnë që të mundësohet dhe të lehtësojnë votimin e të zhvendosurve shqiptarë nga Lugina e Preshevës në zgjedhjet për komunat shqiptare, ashtu siç u lehtësohet serbëve në Kosovë.
Ndërkaq, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se OSBE-ja ka vetëm rolin e vëzhguesit në zgjedhjet të cilat do të mbahen në Luginë.
“Ata së bashku me ne jemi duke negociuar me ministritë përkatëse që të krijohet klima dhe mundësitë për shqiptarët që janë nga Malësia, Bujanoci dhe Presheva që të qarkullojnë lirshëm nga Kosova për të ardhur e për të votuar në vendvotimet e veta”, ka thënë Kamberi.
Ndërkaq, analisti Avni Zogiani ka thënë se OSBE-ja si organizatë merr përsipër misione që përmirësojnë sigurinë dhe nga aspekti politik orientohet nga ky objektiv.
“Kështu, OSBE nuk përgjigjet për nevojat e të gjitha komuniteteve për demokratizim, por shkon pas atyre situatave që për pikëvështrimin e tyre kontribuojnë ne siguri. Me fjalë tjera, nëse një komunitet është burim i kërcënimit të sigurisë, OSBE kujdeset njëanshëm për të, dhe asnjëherë nuk pretendon se këtë e bën në mënyrë të paanshme”, ka thënë Zogiani./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!