Lokale
Bujanoci nikoqirë i amerikanëve (video)
Një grup prej 12 të rinjve amerikan dhe tre të rriturve (kujdestar të studentëve), po qëndron në vizitë në Luginë në kuadër të “Programit për Lider të rinj të Evropës Qendrore”
“Liderët e rinj” që vijnë nga tre shtetet e SHBA-së( Raleigh NC, Burlington VT, Kansas City), vizitën e tyre në Luginë e filluan me përfaqësuesit e institucioneve të komunës së Bujanocit, raporton Titulli.
Ky grup është pritur nga kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi dhe përfaqësuesi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.
Takimi me Arifin ngjalli interesim tek të rinjtë amerikan, ku pas paraqitjes së një pasqyre të kësaj komune, u shtruan edhe pyetjet nga të pranishmit që kishin të bënin me situatën e sigurisë, perspektivës evropiane si dhe zhvillimit ekonomikë të Bujanocit.
“Deri në vitin 2002 komuna e Bujanocit nuk është drejtuar nga kryetar shqiptar edhe pse ka qenë shumicë në këtë komunë”, tha Arifi para studentëve amerikan, duke sqaruar se në kohën e regjimit të Millosheviqit shqiptarët janë dashur të grumbullojnë 2000 vota për një këshilltarë, kurse serbët vetëm 100.
Mirëpo, sipas Arifit konflikti i armatosur në Luginë ka qenë mes shqiptarëve dhe ushtrisë e policisë serbe, kurse marrëdhëniet mes popullatës serbe dhe shqiptare që jetojnë në këtë komunë kanë mbetur të mira.
Gjatë takimit me përfaqësuesin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa u fol për situatën politike dhe të sigurisë në këtë rajon. Mustafa përshkroi punët e këtij institucioni, ndërsa foli edhe për shkeljet që janë bërë dhe po bëhen në Luginë.
“Liderët e rinj” amerikan të shoqëruar edhe nga bashkëmoshatarët e tyre nga Bujanoci dhe Presheva zhvilluan takim edhe me shefin e OSBE-së në Bujanoc Eric Manton.
Jazmina Llazoviq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, njëherit koordinatore e programit për Evropë, i tha Titullit se të studentët amerikanë do të qëndrojnë 15 ditë në Serbi dhe Hungari, ndërsa akomodimi i amerikanëve të rinj është bërë nëpër familje në Bujanoc dhe Preshevë, të cilat vullnetarisht kanë shprehë dëshirën për të pranuar këta mysafirë.
Vizitës së studentëve amerikan i ka parapri edhe një vizitë më se tre-javore e 10 studentëve dhe dy të rriturve nga Serbia, e zhvilluar gjatë muajit korrik të këtij viti, pesë prej të cilëve ishin nga komunat Bujanoc dhe Preshevë.
Kjo është hera e dytë që organizata ndërkombëtare Meridiane Center nga Washingtoni në bashkëpunim me Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd organizon programin për “Liderët e rinj nga Evropa Qendrore”./Titulli.com/
http://youtu.be/mDTX7WQy-KY
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!