Lokale
Bujanoci gati për marrëveshje me OEMVP-në
Në vazhdën e aktiviteteve në sferën e bashkëpunimit rajonal, një delegacion nga Komuna e Bujanocit zhvilloi një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) Menderes Kuçi
Qëllimi i këtij takimi ishte vendosja e bashkëpunimit institucional mes Komunës së Bujanocit dhe OEMVP, përmes këmbimit të përvojave dhe ndërmarrjes së iniciativave me interes të ndërsjelltë, raporton Titulli.
Delegacioni nga Lugina i përbërë nga Nexhat Behluli – koordinator për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme pranë Zyrës për zhvillim ekonomik lokal, Arbër Pajaziti–udhëheqës për veprimtaritë publike dhe shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanocit, si dhe Xhelal Hasani–drejtor i Agjencionit për zhvillim të Preshevës dhe Bujanocit, në ambientet e OEMVP takuan edhe udhëheqësin e sektorit Reshat Nagavci.
Sipas bashkëbiseduesve, fushat në të cilat do të mund të zhvillohej ky bashkëpunim, do të orientoheshin kryesisht në përkrahjen e bizneseve nga të dyja anët, përmes vendosjes së kontakteve bilaterale afariste, organizimi dhe pjesëmarrja në panaire të përbashkëta, konferencave dhe takimeve B2B, me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik, avancimin e bizneseve ekzistuese dhe inicimin e bizneseve të reja, të cilat do të rezultonin me hapjen e vendeve të reja të punës.
Përveç firmosjes formale të Marrëveshjes së bashkëpunimit mes Komunës së Bujanocit dhe OEMVP që pritet të realizohet më 8 prill, bashkëbiseduesit shprehën gadishmërin që në partneritet me Agjencionin për zhvillim të Preshevës dhe Bujanocit, të aplikojnë në konkurse të ndryshme të donatorëve të jashtëm, në nisma të ndryshme rajonale, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Me qenë se komuna e Bujanocit i ka dhënë prioritet zhvillimit ekonomik, deri më tani ajo ka firmosur Marrëveshje të bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Kosovës, ndërsa më 19 prill do ta bëjë edhe me Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Këto marrëveshje po përpilohen konform normave ligjore të shteteve përkatëse dhe mundësive konkrete të bashkëpunimit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!