Lokale
Bujanoci dhe Presheva me fabrikë për riciklime
Rrethi i Pçinjës në të cilën bëjnë pjesë edhe dy komunat të banuara me shumicë shqiptare do të kenë fabrikën për riciklimin e mbeturinave. Projekti pritet të realizohet brenda 5 viteve.
Iniciativa për këtë projekt është marrë në takimin e kryetarëve të komunave të Rrethit të Pçinjës ku edhe është aprovuar plani për ndërtimin e këtij stacioni që do të jetë në Vranjë.
Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa ka thënë se projekti do të ndihmohet nga organizata amerikane USAID që ka shprehë interesimin për përkrahjen e këtij projekti që është në interes të shumë komunave.
Sipas Mustafës, kur të përfundohet ky projekt do të menaxhohen më mirë mbeturinat, pasi edhe komuna e Preshevës do të ketë një stacion transferues ku do të bëhet klasifikimi i mbeturinave.
Projekti do të kapë shumën mbi 20 milion euro, ndërsa komunat e Rrethit të Pçinjës janë të obliguara që së bashku të sigurojnë mjetet.
Mbeturinat mbeten problemi kryesor i çdo vendbanimi dhe me realizimin e këtij projekt do të krijohen kushte shumë më të mira edhe për ndërmarrjet të cilat bëjnë grumbullimin e mbeturinave, ndërsa qytetarëve u mbetet që të respektojnë standardin e BE ku mbeturinat duhet të klasifikohen nëpër qese adekuate antibakteriale./TVP/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!