Bujanoci dështon, ikin investimet e Ushtrisë Amerikane?!
Komuna e Bujanocit së fundmi ka ngecur në vazhdimin e realizimit të një serie projektesh që kishin të bënin me përmirësimin e infrastrukturës shkollore.Sipas akterëve të përshirë në këtë ngjarje, fjala është për projektin “Renovimi i objekteve shkollore” i cili mbështetej nga Ushtria Amerikane dhe ajo Serbe në kuadër të asistencave humanitare që janë në favor të komunitetit vendor.
“Gjithçka nisi mirë, në fazën e parë, në verën që lamë pas, në saje të bashkëpunimit të dy ushtrive u arrit të renovohen dy objekte të rëndësishme në qytet, shkolla e muzikës dhe Enti Parashkollor “ Gëzimi ynë “, thotë Nexhat Behluli, i cili ishte koordinator pranë administratës lokale në raport me Ushtrinë Amerikane, gjegjësisht atë Serbe si dhe institucionet arsimore.
Duke folur për portalin informativ Titulli.com, Behluli sqaron shkaqet e ndërprerjes së këtij bashkëpunimi i cili do të ndikojë posaçërisht tek nxënësit të cilët do të mbesin mangut për krijimin e kushteve më optimale rreth zhvillimit të procesit edukativ.
“Në fazën e dytë do duhej të meremetoheshin godinat shkollore në fshatrat Bilaç dhe Osllarë, mirëpo në saje të mos azhuritetit të administratës e posaçërisht atyre që marrin vendime ky projekt definitivisht është i dështuar”, sqaron Behluli.
“Komuna jonë kishte afat njëmujor të dërgojë detaje rreth projektit konkurrues por kjo nuk është bërë”, potencon Behluli, duke shtuar se në javën e fundit të muajit gusht kishte informuar kryetarin e komunës dhe kryeshefin e Drejtoratit për Veprimtari Shoqërore dhe Shërbime Publike për masat që duhet të ndërmirreshin.
“Është për keqardhje se si ka ardhur deri tek dështimi kur kihet parasysh se përgatitjet për mbarëvajtjen e fazave projektuese në relacionet komunë e Bujanocit, Ushtri Amerikane dhe Ushtri Serbe kishin zgjatur plotë dy vjet”, thekson Nexhat Behluli.
Ushtria e SHBA-së përmes Gardës së Ohajos dhe ajo serbe në revitalizimin e godinave shkollore kishin të paraparë fasadat e brendshme dhe të jashtme, pullazet, nyjet sanitare, dyshemetë, banjot, tualetet, oborret (sipas nevojës), etj.
Nexhat Behluli i cili koordinonte punët në fazën e parë të projektit, thotë se “në meremetimin e entit parashkollor dhe shkollës së muzikës ishin shpenzuar 118.000 dollarë amerikanë, kurse për katër fazat e projektit ishin të paraparë gjithsejtë 350.000. Kjo i bie se komuna jonë ka dështuar t’i përfitojë plot 232.000 dollarë të cilat do të ndikonin fuqishëm në krijimin e kushteve solide nëpër shkolla”.
“Ky dështim i komunës sonë do të thotë se mjetet e parapara për shkollat tona do të përfundojnë në ndonjë komunë tjetër të Serbisë, me gjasë në ndonjërën nga komunat e Rrethit të Pçinjës “, përfundon Behluli./Titulli.com/