Bujanoc: Vendosen kurora lule më 28 nëntor për dy emblemat e UÇPMB-së, Jonuz Musliu dhe Komandant Lleshi
Përfaqësues të komunës së Bujanocit, Këshillit Kombëtar Shqiptar, partive politike, veteran të UÇPMB-së e familjarë vendosen kurora lule tek varri i të ndjerit Jonuz Musliu dhe Ridvan Qazimi-komandant Lleshit, shkruan Titulli.com.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi ai i kuvendit komunal, Andan Salihu, Ragmi Mustafa nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, deputeti popullor Fatmir Hasani dhe kryetari Lëvizjes së Progresit Demokratik , Shqiprim Musliu i shoqëruar edhe me të tjerë nderuan dy figura të jetës politike dhe luftarake të Luginës së Preshevës.
Jonuz Musliu, ishte shef politik në konfliktin e UÇPMB-së, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik nga viti 2002, kryetar i kuvendit komunal dhe nga viti 2014 deri para vdekjes ishte kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptarë.
Ridvan Qazimi, i njohur me emrin komandant Lleshi, një nga udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u vra më 24 maj në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit./Titulli.com/