Bujanoc: Pas ndërtimit të objektit për refugjatë, konkurs i ri për shtëpi montuese
Në Bujanoc po qëndron i hapur konkursi për refugjatët nga Kosova të cilët tashmë janë duke jetuar në tre qendra kolektive të kësaj komune.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në fund të vitit 2013 në mes të organizatës “Housing Center” nga Beogradi dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, që ka të bëjë me realizimin e projektit “Mbështetje në përmirësimin e kushteve të jetesës të migruesve të detyruar dhe mbylljen e qendrave kolektive”, është hapur konkursi për këtë kategori refugjatësh për ndarjen dhe ndërtimin e shtëpive montuese.
Në këtë konkurs do të ndahen tetë shtëpi montuese, ndërsa në te mund të aplikojnë të gjithë qytetarët e evidentuar në komunë të Bujanocit si refugjatë dhe personat e zhvendosur intern e të cilët janë duke jetuar në tre qedrat kolektive në këtë komunë: “Salvatore”, “Stara ciglana” dhe në qendrën “Çerdhja e fëmijëve”.
Konkursi do të mbyllet në javën e dytë të muajit korrik ndërsa në dokumentin e publikuar nga donatorët qëndrojnë edhe kriteriumet tjera që duhet të plotësohen nga refugjatët serb dhe romë të Kosovës për të fituar të drejtën për aplikim.
Më 20 qershor në Bujanoc, në qendrën kolektive “Salvatore” u bë dorëzimi i 15 banesave për të shpërngulurit nga Kosova si dhe pesë banesa iu ndanë qytetarëve të kësaj komune të cilat kanë kushte të rënda për jetesë./Titulli.com/