Bujanoc: Koalicioni PVD "“ UDSH prezanton 41 kandidatët e listës zgjedhore (foto)
Me moton "Për shqiptarët" koalicioni ndërmjet Partisë për Veprim Demokratik dhe Unionit Demokratik Shqiptar, lista "PVD-UDSH Shaip Kamberi" ka prezantuar dje në Bujanoc 41 kandidatët për këshilltarë komunal të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale të 24 prillit, raporton Titulli.com.Bartësi i listës dhe kandidati për kryetar të komunës, Shaip Kamberi ftoi qytetarët të votojnë listën e tyre, siç u shpreh ai, për të çliruar Bujanocin nga pushteti aktual që për katër vite ka udhëhequr politikë të mbrapshtë antishqiptare.
“Lista jonë është listë e unitetit shqiptar dhe jam i privilegjuar që do të jem bartës i kësaj liste. Qeverisja jonë do të jetë në shërbim dhe vetëm në shërbim të qytetarëve të komunës së Bujanocit”, u shpreh Kamberi, njofton Titulli.com.
“Gjendemi para një kauze, të ekzistencës së popullatës shqiptare në komunën e Bujanocit. Ne do të mbrojmë këtë kauzë pasi në kye kemi njeriun fisnik e bujar Shaip Kamberin”, tha para të pranishmëve, Adem Hasani, kryetar i UDSH-së në Bujanoc.
Kryetarja e Forumit të Gruas, Fitnete Gashi tha se “qytetarët e komunës së Bujanocit kanë humbur shpresën, por lista PVD-UDSH në krye me Shaip Kamberin do të kthejë shpresën që rinia të mbetet në vendin e tyre”.
Kryetari i PVD-së, Riza Halimi, tha se koalicioni PVD-UDSH po kthehet në burimet e PVD-së kur është themeluar para 26 viteve për të thyer monopolin kërcënues të Partisë Socialistë Serbe.
Me fjalime në këtë tubim u paraqitën edhe Ardita SInani, kryetare e PVD-së në Preshevë dhe Ragmi Mustafa, shef i grupit parlamentar të PVD-së në KK të Bujanocit në mandatin 2012-2016.
Me këtë rast përfaqësuesit e kësaj liste ftuan qytetarët e komunës së Bujanocit të votojnë për këtë listë dhe numrin 4, ndërsa kanë paralajmërua se në një tubim të ardhshëm do të prezantojnë programin zgjedhor./Titulli.com/