Bujanoc: As-asët e hem-hemët e Luginës!
Në Luginë të Preshevës, me vite të tëra, veprojnë subjekte politike, të cilat vuajnë nga një moskoordinim i veprimeve të përbashkëta.Në fakt, ata mund ta gjejnë një gjuhë të përbashkët sa i përket aktiviteteve në fushën e iniciativave të mëdha siç i quajmë patriotike: Referendumi, Platformat, protestat, por jo edhe në fushën e proceseve zgjedhore për pushtet lokal, parlamentar dhe nacional.
Ndjesia e të vepruarit ndaras në garat zgjedhore, ka 12 vjet, që i ndjek partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës, e asnjëherë nuk i gjen bashkë.
Lakmia për pushtet lokal dhe qendror, i ka bërë ato, jo rrallë herë, të marrin vendime, në kundërshtim me rregullat e lojës politike për interesa të përgjithshme s qytetare e kombëtare.
Zgjedhjet e fundit, për pushtet lokal, të vitit 2012, treguan një papjekuri politike, të subjekteve, të cilat e shkelën votën e elektoratit për interesa të ngushta partiake e familjare.
Këto ndasi partiake, tashmë po reflektohen edhe më ashpër në procesin e zgjedhjeve për Këshillat e pakicave Kombëtare në Serbi.
Partitë e shumta politike shqiptare, nuk po merren vesh, që në këto zgjedhje të dalin me një Listë të përbashkët, për të përmirësuar gabimet e trashëguara nga e kaluara e hidhur e ndasive partiake.
Spektri politik shqiptar, është duke vepruar në stilin: tërhiq e mos këput! Ai, lëre që nuk bashkohet në këto procese shumë të rëndësishme shoqërore, por përkundrazi reflekton huti, pasiguri dhe defetizëm.
As-asët e hem-hemët e subjekteve shqiptare, në Luginë të Preshevës, po shkaktojnë një klimë të papërshtatshme veprimi, në këtë rajon të mbarsur me probleme të shumta të natyrës politike dhe ekonomike.
Ka ndodhur shpesh, që disa nga këto subjekte, në mungesë të ndonjë qëndrimi partiak e kanë lënë të lirë elektoratin të vendos vet për dalje apo mosdalje në zgjedhjet parlamentare, apo për Këshill Nacional. Po kështu ka ndodhur edhe me procesin e regjistrimit të popullsisë, ku partitë politike i zvarritnin qëndrimet e tyre, duke i lënë qytetarët vetë të vendos për këto procese.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, ka kërkuar disa herë nga subjektet politike shqiptare, unifikimin e qëndrimeve, në rrugën e realizimit të veprimeve të tyre me interes qytetarë e kombëtarë. Çdo përpjekje për interesa të ngushta partiake e grupore, nuk i kontribuon kësaj Lugine, për të dalë nga ngërçi politik dhe kolapsi ekonomik.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc