Borë dhe ngrica në rrugë (Foto)
Komuna e Bujanocit, sipas qytetarëve, ka dështuar në pastrimin e rrugëve lokale për të cilat edhe ka kontraktuar kompaninë "Saba Bellça" për mirëmbajtjen e tyre.Edhe pse Bujanoci ishte njëra prej komunave e cila ndër të fundit u prekë nga stuhia e borës dhe ftohtit, doli të jetë e papërgatitur në menaxhimin e situatës së krijuar.
Mos intervenimi me kohë i përgjegjësve ka bërë që bora të mbulojë akset rrugore lokale duke krijuar shtresa akulli, të cilat tashmë janë bërë rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion.
Qytetarët të indinjuar me situatën e krijuar, gjatë kohës që sot gazetari i Titullit po bënte fotografim të rrugëve, thanë se situata e krijuar është dështim.
“Le të dalin ma mirë t’i thojnë popullit s’po mundemi me pastru, bare ta dim. Ata po bohen sikur kurxho s’po ndodh”, shprehet kalimtari bujanocas i shoqëruar me një fëmijë.
Një mirëmbajtje të rrugës gjatë stinës së dimrit kishte premtuar edhe drejtori i Drejtoratit për Ndërtim, Agim Haliti, me rastin e nënshkrimit të kontratës me vlerë mbi 4 milionë dinarë me kompaninë “Saba Bellça”.
Ndërsa Valon Etemi, përfaqësues i kompanisë nga Presheva, kishte deklaruar se “Saba Bellça” ka bërë përgatitjet dhe se kanë pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë këtij sezoni dimëror.
Situatë hiç më e mirë nuk është as në Komunën e Preshevë, ku pastrimi i rrugëve pothuajse ka dështuar tërësisht.
Vlen theksuar se Partia Demokratike në Bujanoc angazhohej më shumë për pastrimin e borës përmes anëtarëve të saj të degëve e nëndegëve nëpër fshatra, në kohën që bënte opozitë, se sa tani kur mbanë përgjegjësinë e situatës së krijuar. /Titulli.com/