Bojkoti i Këshillit Kombëtarë Shqiptarë, proces i marrëveshjeve të fshehta?
Lokale

Bojkoti i Këshillit Kombëtarë Shqiptarë, proces i marrëveshjeve të fshehta?

30.Jul.2014 13:22
0

Me legjislacionin aktual në fuqi, Këshilli Kombëtarë Shqiptarë mund të kontribuoj pjesërisht në zhvillimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit të gjuhës, ka vlerësuar Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës.

Kamberi gjatë një interviste dhënë Portalit Informativ-TITULLI ka thënë se KKSH gjatë këtyre katër viteve të funksionimit energjia është konsumuar shumë në rivalitetet dhe koketimet e fshehta midis KKSH-së dhe pushteteve lokale, veçmas lidhur me çështjet e drejtorëve të shkollave, ngaqë kur kishte mundësi dhe kur nuk rrezikoheshin shumë interesat e brendshme të blloqeve rivale, konflikti politik shpërfaqej me procese procedurale dhe ligjore reciproke, duke lobuar në Qeverinë e Serbisë kundër tjetrit,  ndërsa në rastet kur kishte interesa të përbashkëta, atëherë jetësoheshin marrëveshjet e fshehta “xhentëlmene” midis krerëve të pushtetit lokal dhe atyreve të KKSH-së, sidomos në Preshevë.

Lidhur me pjesëmarrjen eventuale të partive tjera shqiptare në zgjedhjet e Këshillit Kombëtarë Shqiptarë që janë paralajmëruar se do të mbahen në tetor të këtij viti, Kamberi thotë se ka gjasa që kësaj herë partitë politike të cilat e bojkotuan KKSH-në, të marrin pjesë në zgjedhje, sepse nga bojkoti i tyre inert, jo vetëm se nuk përfituan asgjë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës,  por edhe ato si subjekte politike, nuk patën realisht asnjë përfitim politik.

Belgzim Kamberi është shprehur i brengosur edhe për pozitën e mediave  në gjuhën shqipë ne Luginë, duke vlerësuar se më së miri do të ishte që veprimtaria e mediave publike lokale të pezullohet përkohësisht, deri në ristrukturimin dhe reformimin e tyre,  gjë që nuk ka gjasa të bëhet tani për tani, duke e marrë parasysh mendësinë e vendimmarrësve politik, që parapëlqejnë t’i shfrytëzojnë ato për propagandat e tyre qesharake politike me tipare provincialiste dhe komplet patetike.

“Mediat private në gjuhën shqipe kanë gjithashtu probleme të theksuara profesionalizmi, por më shumë për shkak të mangësive financiare, sesa për shkak të ndikimit direkt nga politika dhe nga qarqet e ndryshme të “biznes-mafia-politikës”, e që edhe kur mund të jetë i pranishëm, ai ndikim realizohet kryesisht përmes flirtimeve dhe joshjeve financiare. Personalisht, mendoj se portalet mund të jenë alternativa më e mirë për zhvillimin e një gazetarie profesionale dhe luftimin e (vetë)censurës, por vetëm nëse ato arrijnë të sigurojnë burime vetanake të financimit, që ndonëse është mision i vështirë, ai është parakusht themelor për zhvillimin e mëtejmë të një gazetarie më objektive, hulumtuese, emancipuese dhe kritike,  më se të domosdoshme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj”, tha Kamberi. 

Ai shtoi se në zgjedhjet për Këshillin Kombëtarë Shqiptarë nuk duhet përjashtuar një marrëveshje jozyrtare midis PDSH-së dhe PVD-së në Preshevë, që do të rezultonte me bojkotin e sërishëm të PDSH-së me argumente fiktive politike, që do të siguronte një mandat të ri të PVD-së në qeverisjen e KKSH-së, me bekimin e heshtur të PDSH-së.

“Një marrëveshje e tillë do ta garantonte vazhdimin e ruajtjes së gjendjes aktuale të ndarjes së heshtur të pushtetit në Preshevë midis PDSH-së pushtetare dhe PVD-së opozitare, që mund të konsiderohet si më joshëse për të dy partitë dominuese lokale, të cilat nuk shohin interes nga konflikti i hapur politik midis tyre, nga frika se mund të humbin gjithçka nga pushtetet simbolike që zotërojnë. Në këtë rast, PD-ja e Nagip Arifit nuk do të të kishte ndonjë rol të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme të KKSH-së dhe pushteti aktual në KKSH nuk do të kishte sfidues të vërtetë në zgjedhje”, vlerësoi Kamberi.   

Kliko këtu për ta lexuar Intervistën e plotë me kryetarin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi.

Lamtumirë mediume pushtetare!
FHKL ndanë çelësat familjeve përfituese (foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration