Lokale
Bizneset e Luginës synojnë tregun rajonal (video)
Ndërmarrësit nga komuna e Bujanocit dhe Preshevës sot morën pjesë në takimin njoftues për panairin e 25 prillit me përfaqësues të Komunës së Bujanocit e Preshevës, Odës Ekonomike të Serbisë dhe Trupit Koordinues
Rreth njëqind përfaqësues të bizneseve që veprojnë në Bujanoc dhe Preshevë sot morën pjesë në takimin njoftues të mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal në Bujanoc.
Me këtë rast u dhanë sqarime rreth pjesëmarrjes për herë të parë të ndërmarrjeve nga Lugina në “Panairin e potencialeve investive” që do të mbahet në Beograd.
Nënkryetarja e Odës Ekonomike të Serbisë, Vidosava Dzakic tha se ky panair do të jetë një rast shumë i mirë për bizneset e këtij rajoni që t’i shpalosin kapacitetet e tyre.
“Në kuadër të vazhdimit të projektit për zhvillimin ekonomikë të komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë i cili ka filluar vitin e kaluar po mbahet edhe “Panairi i potencialeve investive” në mënyrë që të tërheqim investitorët në këto tri komuna”, u shpreh Dzakic, raporton Titulli.
Ajo theksoi se përmes këtij panairi përveç që do të kemi mundësinë të paraqesim kapacitetet e ndërmarrjeve publike, do të bëhet prezantimi edhe i subjekteve private që veprojnë në këto komuna.
Takimin e sotëm e ka vlerësuar shumë pozitiv edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
“Panairi i 25 prillit do të jetë shumë me rëndësi pasi do të bëhet prezantimi edhe i ekonomisë shoqërore dhe shtetërore nga Oda e Ekonomisë së Serbisë, kurse nga Agjencioni për Privatizim do të prezantohet situata e ndërmarrjeve të cilat kanë filluar me procesin e privatizimit dhe ajo është ndërprerë”, theksoi Arifi.
Duke bërë krahasimin me panairet që dikur ishin mbajtur në Bujanoc, Arifi tha se panairi që do të mbahet në Beograd do të jetë më ndryshe.
“Ky panair ka qëllim tjetër në krahasim me panairet që kemi mbajtur në Bujanoc. Këtu kemi bërë prezantimin e prodhimeve, ndërsa në Beograd qëllimi është që të tërhiqen investitorë të ndryshëm për në komunën e Bujancit”, u shpreh kryetari Arifi.
Edhe përfaqësuesi i komunës së Preshevës, Ilir Sadriu mendon se panairi do t’i sjell dobi këtij rajoni.
“I falënderohem Trupit Koordinues për këtë iniciativë që është e një rëndësie të veçantë për këtë rajon. Në panair do të kemi mundësinë që të paraqesim potencialin investues të cilin e ofron komuna e Preshevës”, deklaroi në mes tjerash Sadriu.
Panairi i 25 prillit në Beograd nuk do të jetë i zakonshëm, siç janë të gjitha panairet me ekspozimin e prodhimeve të veta, por do të jetë një mundësi e takimeve me bizneset e ndryshme por edhe përfaqësuesve të ambasadave, ministrive si dhe investitorët potencialë që kanë shprehë dëshirën për të bartë prodhimet e veta në këtë rajon.
Kjo është hera e parë që Bujanoci, Presheva e Medvegja në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Serbisë dhe Trupin Koordinues organizojnë një panair të potencialeve investive./
Vlen theksuar se komuna e Bujanocit është e vetmja komunë në Serbi që ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Kosovës, ndërsa gjatë muajit prill një marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi do të lidhë edhe me Odën Ekonomike të Shqipërisë./Titulli.com/
http://youtu.be/Ddny6IGAqNM
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!