Bizneset e Luginës në Panairin Regjional "Gjilani 2015"
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Gjilanit u ka bërë thirrje bizneseve prodhuese nga Lugina për pjesëmarrje në Panairin Regjional “ Gjilani 2015 “.
Ftesa zyrtare për pjesëmarrje në këtë panair i’u është dërguar Zyres për Zhvillim Ekonomik Lokal të komunës së Bujanocit.
"Panairi Regjional 'Gjilani 2015' do të mbahet gjatë datave 2, 3 dhe 4 korrik, ndërsa do të jenë 10 prodhues nga Bujanoci dhe Presheva të cilët mund t’i eksponojnë produktet e tyre në stendat e rezervuara edhe atë krejtësisht falas", thotë Nexhat Behluli nga ZZHEL pranë komunës së Bujanocit.
Sipas Behlulit kjo zyre të gjithë bizneseve të interesuara nga Lugina do t’ua ofrojë përkrahjen logjistike, përfshirë edhe kalimet në kufi, ndërsa paraqitjen për pjesëmarrje pronarët duhet ta konfirmojnë deri më datën 22 qershor.
“ Ne ftojmë të gjithë prodhuesit që t’i përgjigjen kësaj ftese dhe ta shfrytëzojnë rastin me pjesëmarrjen e tyre ngase bëhet fjalë për një panair i cili është mjaft i vizituar dhe që ka qenë tejet produktiv viteve të fundit “, pohon Behluli.
Çdo informatë të detajuar të interesuarit për pjesëmarrje në Panairin Regjional "Gjilani 2015" mund ta marrin në Zyrën për Zhvillim Ekonomik Lokal të komunës së Bujanocit./Titulli.com/