Bërnabiq në Mitrovicën e Veriut: Interes i Serbisë është paqja
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nga Mitrovica e Veriut, ku qëndroi për vizitë, dëshiron të përçojë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.
Ajo tha se autoritetet nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, do të jenë gjithmonë me komunitetin serb në Kosovë dhe shtoi se është e lumtur që ndodhet në Kosovë "në një moment kaq të vështirë".
"Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti", tha Bërnabiq.
Kryeministrja e Serbisë shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të luftojë për popullin serb në Kosovë, në mënyrë që përmirësimi i kushteve të jetesës të shihet në terren.
Ajo theksoi se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë - nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.
"Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, tha Bërnabiq.
Ajo tha se shpreson se autoritetet e Kosovës do të jenë të përkushtuara ndaj dialogut dhe "gjetjes së një kompromisi", i cili, sipas saj, "do të jetë i nevojshëm për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës".
"Kjo është ajo që na duhet, jo për shkak të integrimit evropian, por për shkak të vetvetes, për shkak të asaj që duam me gjithë zemër, që është paqja dhe stabiliteti afatgjatë", tha Bërnabiq.
Bërnabiq arriti paraditen e së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe - subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës - si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.
Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb. Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: "Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje".
Kjo ishte vizita e parë e Bërnabiqit në Kosovë prej se u zgjodh kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.
Më 2 shtator, autoritetet e Kosovës lejuan vizitën e saj, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.
Në delegacionin e Bërnabiqit ishte edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe drejtori i Zyrës për Teknologji informative dhe e-Qeverisje, Mihaillo Jovanoviq.
"Kjo është një ditë e rëndësishme dhe e madhe për të gjithë ne", tha Petkoviq, duke komentuar vizitën e Bërnabiqit në Kosovë.
"Falë presidentit [të Serbisë] Aleksandar Vuçiq dhe kryeministres Ana Bërnabiq, kemi arritur të investojmë shumë fonde dhe t'i fuqizojmë komunitetet serbe", shtoi ai.
Vizita e Bërnabiqit në veri të Kosovës u zhvillua pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës qysh në vitin 2011.
Kur Qeveria e Kosovës ndërmori masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri u rebeluan dhe ngritën barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre. Për shkak të rritjes së tensioneve, Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërhynë, duke biseduar me palët si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd./REL/