Berisha sulmohet gjatë protestës kundër Qeverisë Rama (video)
Rajoni dhe Politika

Berisha sulmohet gjatë protestës kundër Qeverisë Rama (video)

06.Dec.2022 16:17
0

Opozita në Shqipëri ka protestuar kundër Qeverisë së kryeministrit, Edi Rama, në kohën kur në Tiranë u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Të thirrur nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, qytetarët u mblodhën përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku policia kishte vendosur perimetrin e sigurisë për të garantuar qetësinë dhe sigurinë për mbarëvajtjen e samitit, që mblodhi liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Protesta nisi me një incident. Sapo doli nga selia e Partisë Demokratike, kreu i këtij subjekti, Sali Berisha, u godit nga një qytetar me grusht në fytyrë.

Ekipi i sigurisë së Berishës arriti të ndalte personin që policia e identifikoi si Gert Shehu. Më pas ai u shoqërua nga zyrtarët e rendit.

 

Në lidhje me incidentin, policia në Tiranë tha se “nga verifikimet paraprake rezulton se 31-vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminal për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve”.

Policia tha po ashtu se sipas diagnozës klinike, që familjarët e 31 vjeçarit kanë vënë në dispozicion për autoritetet, ai vuan nga çrregullime psikotike dhe prej vitesh trajtohet për këtë.

Personi që sulmoi Berishën gjendet në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të plagëve të marra, pasi u godit nga disa protestues.

Pavarësisht këtij incidenti dhe shenjave të dukshme në fytyrë të shkaktuara nga sulmi, Berisha vijoi të ecte drejt vendit ku ishte ngritur podiumi i protestës.

Berisha i kërkoi policisë që ta lirojë personin që e sulmoi.

“Ai është një fatkeq që ka shitur veten. Ka vetëm një autor të vërtetë dhe ai është Edi Rama”, tha Berisha.

Berisha po ashtu theksoi se “fatkeqësisht në samitin me Bashkimin Evropian, Shqipëria përfaqësohet nga një kryeministër që duhet të ishte para drejtësisë”.

Ai e akuzoi Ramën se ka blerë bizneset dhe mediat, si dhe një pjesë të opozitës.

“Rama ka futur në rrjetën e tij edhe ambasadorët e huaj, që po sillen si guvernatorë. Ftoj mediat e huaja të hetojnë sepse do të ndihmojnë një popull që vuan nga korrupsioni i Qeverisë Rama. Shqiptarët po ikin me gomone sepse po vidhen çdo ditë nga Qeveria e tyre”, tha kreu i PD-së.

Berisha tha se mesazhi i tij për liderët evropianë është se në Shqipërinë e vërtetë, në pushtet “është mafia”.

“Sot në këtë samit merr një goditje fatale nisma e Ramës ‘Ballkani i Hapur’”, tha Berisha duke iu referuar nismës rajonale, ku bën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

 

Protesta e opozitës u mbajt jashtë perimetrit të sigurisë, të vendosur nga autoritetet për shkak të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Fillimisht, dy partitë opozitare kishin thënë se do të protestonin para Qeverisë dhe në vendin ku u mbajt samiti.

Policia e shtetit ndërmorri masa të larta sigurie në bashkëpunim edhe me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare Interpol dhe Europol, për të garantuar sigurinë e 32 delegacioneve shtetërore të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbarëvajtjen e samitit.

Në bazën “Jug” të Bujanocit është mbajtur trajnimi për operacionet paqeruajtëse
Mbyllet Samiti i BE-së, Kryeministri Rama citon Kanunin: Shtëpia i përket Zotit dhe mikut! (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration