Belgzim Kamberi : Pse qeveritë mund të bashkëpunojnë dhe jo komunat?
Lokale

Belgzim Kamberi : Pse qeveritë mund të bashkëpunojnë dhe jo komunat?

06.Dec.2016 21:18
0
Marrëveshja e nënshkruar së fundi për Unionin e Komunave Shqiptare; ku janë të përfshira Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva; mund të ketë efekte pozitive në fushat që mbulojnë vetëqeverisjet lokale, që nga shkëmbimi i përvojave dhe deri në realizimin e projekteve të përbashkëta.

Ky Union mund t’i shërbejë sidomos komunave më të vogla brenda tij, ngase mund të përfitojnë nga komunat më të mëdhaja, si Tirana dhe Prishtina; sidomos në aspektin e ngritjes së efikasitetit qeverisës dhe profesionalizimit të resurseve të tyre njerëzove. Përpos efekteve të ndërsjella të brendshme, ky Union mund të sjellë efekte edhe në fushën e jashtme, si për shembull në aplikimin për fonde evropiane, rajonale etj. Pastaj ky Union mund t’i përafrojë më shumë midis tyre, qytetarët e të gjitha komuniteteve të këtyre komunave, në kuptimin politik, kulturor, social etj. », thotë në një bisedë për “Danas”, Belgzim Kamberi, gazetar dhe kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut nga Presheva.   

 

Për politikat ditore shfaqet sërish koncepti i “krijimit të Shqipërisë së Madhe”, ku është edhe Presheva. Duket se pakkush ka rënë në këtë kurth dhe e tëra duket sikur një mjegullnajë politike?

 

Kamberi : Nuk është diçka e re që sapo të fillojë një bashkëpunim çfarëdoqoftë shqiptar në Ballkan, aktivizohen po të njëjtat qarqe në Serbi, të cilat e trumbetojnë « rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe ». Po nëse e analizoni profilin e tyre, atëherë do ta vëreni  se janë po këto qarqe, të cilat jo vetëm se nuk janë distancuar nga e kaluara e Serbisë; porse që flasin dhe militojnë haptazi dhe heshturazi ende për bashkimin e Republikës Srpska, Kosovës dhe mbase edhe një pjese të Malit të zi me Republikën e Serbisë. Paradoksalisht, takimi i parë i  krerëve të komunave me shumicë shqiptare në rajon, përkatësisht reagimet në Beograd, përfshirë edhe ai i kryeministrit Vuçiq; reflekton përsëri faktin sesa nuk ka ndryshuar Serbia, siç e dëshmon fundja, edhe e kaluara politike e Vuçiqit dhe shumë kolegëve të tij nga aparati qeverisës shtetëror serb, që kanë qenë pjesë direkte ose indirekte të regjimit të Millosheviqit.

 

Megjithatë ; Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë pjesë përbërëse e shtetit të Serbisë, e kjo nënkupton edhe respektimin e Kushtetutës dhe normave të tjera ligjore të saj ?

 

Kamberi : Presheva, Bujanoci dhe Medvegja gjinden vërtetë brenda territorit të Republikës së Serbisë; por e vërtetë gjithashtu është se në këto komuna jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar dhe se është e drejta e tyre legjitime dhe njerëzore që të zhvillojnë marrëdhënie politike, kulturore, sociale e mbase edhe administrative, me institucione të tjera që drejtohen nga shqiptarët në Ballkan. Kjo e drejtë nuk është e garantuar vetëm me konventat dhe me dokumentet ndërkombëtare dhe evropiane; por edhe me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe legjislacionin e saj përkatës, që ia njohin të drejtën pakicave kombëtare të Serbisë që të zhvillojnë marrëdhënie bashkëpunimi me shtetet e tyre amë. Sido që të jetë; Vuçiqi dhe kolegët e tij qeveritarë, të cilët po reagojnë, duke pretenduar të jenë të sinqertë me opinionin e brendshëm serb; në anën tjetër njihen për marrëdhënie të mira me krerët qeveritarë të Kosovës (me të cilët e kanë negociuar nga « lartë » krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila për nga karakteri, përmbajtja dhe kompetencat e synuara, nuk mund të krahasohet aspak me Unionin e Komunave Shqiptare, të inicuar nga « poshtë »); por edhe me Edi Ramën, kryetarin partiak të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nikoqir i takimit të parë të Unionit të Komunave Shqiptare.  

 

Ky është koncepti i parë i bashkëpunimit rajonal të komunave me shumicë shqiptare i cili duhet megjithatë të fitojë mbështetjen e Beogradit, Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës. Ky do të jetë një proces që vështirë do të ketë konsensus  ?

 

Kamberi : Ky Union rajonal është para së gjithash i nivelit komunal dhe ka shumë fusha, ku ata mund ta jetësojnë bashkëpunimin midis tyre edhe pa pasur nevojë për një « konsensus » rajonal qeveritar. Pastaj, nëse e shihni, bashkëpunimi midis qeverive të Serbisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë është më i mirë, se siç duan ta paraqesin këto qeveri brenda opinionit të tyre. E vërteta është se këto qeveri nuk shquhen për rezultate pozitive brenda shtetit të tyre të mbisunduara nga papunësia, varfëria, krimi dhe korrupsioni; prandaj edhe duan të paraqiten si « faktor stabiliteti » në skenën rajonale dhe ndërkombëtare, ngase iu duhen « protektorët » e tyre të jashtëm, shpeshherë të njëjtë, për të qëndruar në pushtet. Shpeshherë, flamuri i tyre që ngritin përmes mediave të tyre, për « rrezikun e armikut të brendshëm » është para së gjithash i destinuar për protektorët e tyre ndërkombëtar; sepse shihet qartë se nuk e kanë problem të bashkëpunojnë midis tyre « lartë », sidomos në « biznes ». 

 

Regjisori Valton Jakupi nga Bujanoci nominohet për çmimin "Harpa 2016" në Tiranë
Dy sofrat preshevare në një zë (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration