BE-ja do të merret me çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë
Lokale

BE-ja do të merret me çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë

26.Mar.2021 06:55
0

Parlamenti Evropian të enjten debatoi për Kosovën, ku edhe i dha mbështetje të fuqishme çështjes së liberalizimit të vizave.

Pas seancës së PE-së, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, bashkë me homologun e saj për Serbinë, Vladimir Bilcik, njoftuan më në detaje rreth debatit të sotëm.

Mirëpo, pas raportimit të tyre, nga gazetarët morën një pyetje rreth pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e autoriteteve serbe.

Von Cramon tha se kjo çështje është shumë shqetësuese, duke siguruar se do të merret me të.

“Mund të jeni të sigurt se do të merrem me këtë rast, dhe është çështje shumë shqetësuese. Kemi të dhëna empirike dhe do të dalim publikisht me këto pak më vonë. Është diçka që duhet të merremi në nivel Komisioni dhe Këshilli, do të shikojmë edhe më për së afërmi se çfarë iniciativash janë marrë tashmë në Këshill të Evropës, çfarë rezolutash dhe çfarë traktatesh tjera ndërkombëtare janë detyruese për Serbinë që ta ndalojë apo pengojë këtë proces. Është pa dyshim një çështje shumë e vështirë, dhe mund të ju garantoj se do të shikojmë më për së afërmi në këtë çështje dhe do të merremi me të në të ardhmen e afërt, por na duhet më shumë kohë për të mbledhur të dhëna empirike nga ky rajon dhe më pas të sigurohemi që të marrim veprimet dhe iniciativat e duhura politike”, deklaroi von Cramon.

 

Ndërkaq, raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Bilcik, tha se kjo çështje, dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me njerëzit në Kosovë dhe Serbi, duhet të shtrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel.

“Kemi nisur një dialog shumë operativ të lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me njerëzit në Kosovë dhe Serbi duhet të diskutohen në kuadër të këtij dialogu. Është qenësore, dhe mendoj se ka një plan të vërtet, janë disa çështje që tashmë janë adresuar, dhe është me rëndësi që të diskutohen të gjitha çështjet që ndërlidhen me statusin e të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë territor”, u shpreh Bilcik.

Për këtë çështje ka pasur raportime kohëve të fundit nga mediat, për çka kanë reaguar edhe Kosova e Shqipëria.

 

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, nëntorin e vitit të kaluar reaguan për, siç thanë “procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Luginë nga autoritetet e Serbisë”, veçanërisht në Medvegjë, por edhe Bujanoc e Preshevë.

Sipas tyre, fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është duke krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por është duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës.

“Kjo praktikë shtetërore e zbatuar në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe të qëllimshme përbën edhe një formë të re të shtypjes së ushtruar ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Prandaj, ndërsa ne e dënojmë fuqimisht këtë praktikë institucionale, u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë ta ndërpresin menjëherë punën sistematike për pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Kjo praktikë shtetërore nuk dëmton vetëm të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por është edhe një shpërfillje e plotë të standardeve demokratike në përgjithësi”, u tha në komunikatën e përbashkët të Haradinaj-Stubllës dhe Cakajt.

Tashmë ish-ministrat u bënë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse ndërkombëtare, në radhë të parë Komitetit Këshillues të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve të Këshillit të Evropës dhe Komisionerit të Lartë të OSBE për Minoritetet Kombëtare për ta përcjellë këtë proces me vëmendje të shtuar dhe për të vepruar për parandalimin e këtij procesi me pasoja afatgjata ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi, raporton Zeri.info.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë mbesin të përkushtuara për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe besojnë thellësisht në të ardhmen evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, duhet theksuar se përpara së gjithash, kjo nënkupton njohje të ndërsjellë, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë standardeve demokratike”, u potencua në komunikatën e tyre të përbashkët.

Kamberi polemizon me Bërnabiqin në parlamentin e Serbisë, asnjë fjalë për Luginën?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration