Bastisje në Bujanoc e Vranjë, kapen cigare dhe drogë
Zyrtarët policor nga Departamenti i Policisë në Vranjë me urdhër të gjykatësit të Gjykatës së Lartë në Vranjë sot ka bastisur dy shtëpi, në Bujanoc dhe në Vranjë.Sipas kumtesës së policisë që ka arritur në adresë të portalit informativ Titulli, në Bujanoc bastisja është bërë tek M.B (1994) ku janë gjetur 1.246 paketime me cigare pa dokument përcjellës.
“Kundër MB nga Bujanoci do të ngrihet kallëzim penal në Prokurorinë themelore në Vranjë, nën dyshimin se ka kryer vepër penale, shitje e palejuar të prodhimeve me akcizë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po sot, në bastisjen e shtëpisë së P.V. (1976) në Vranjë është gjetur farë e bimës narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë në masë prej 165 gramë.
Pas ekspertizës së lëndës kundër P.V. do të merren masat e parapara me Ligj./Titulli.com/