Bashkimi i Preshevës me Kosovën, shqiptarët e Luginës nuk besojnë (video)
Banorët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk besojnë se deputetët e Kuvendit të Kosovës mund ta bëjnë bashkimin e tyre me Kosovë. Ata thonë se si Shqipëria ashtu edhe Kosova e kanë lënë Luginën pa përkrahjen e merituar.
Pak nga gjeneratat e reja që kanë mbetur në këto komuna, megjithëse e shohin të vështirë bashkimin, shpresa e vetme mbetet ajo.
“Është në shpëtim për ne nëse i i bashkangjitemi Kosovës. Regjimi serb vazhdon, sikur të ishte në kohën e Millosheviçit, me diskriminimin ekonomik, me diskriminimin në punësim, me diskriminimin gjithandej”, thotë Reshat Ajdini, banor i Preshevës.
E Hakiu plak, çdo ditë vëzhgon se si popullata pakësohet në Bujanoc.
“Nëse nuk gjejnë punë nga do ia mbajnë ata. Njeriu do që të hajë, fëmija do të haj. Punë jo, fabrika jo. Ku do ia mbajnë? S’kanë faj të rinjtë që po dalin jashtë”, Haki Ibrahimi, banor i Bujanocit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa thotë se mungesa e kuorumit në seancën e mbajtur gjatë së martës për bashkimin e Luginës, ka treguar papërgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Është shumë mirë që kjo çështje është vënë në diskutim, konsideroj që duhet të aprovohen dokumentet e nevojshme dhe të diskutohet për dikasteret e veçanta për të pasur një qasje me një plan veprimi. Megjithatë, mospërfundimi i seancës ashtu siç duhet është një papërgjegjësi dhe jo serioze për shqiptarët”, tha Ragmi Mustafa, Kryetar i Këshillimit Kombëtar Shqiptar
Ndërsa për organizatat e dala nga lufta, është dëshpëruese se si 18 vjet që pas vitit 2001, dy shtetet shqiptare nuk kanë një platformë strategjike veprimi për komunat shqiptare në Serbi.
Do të ishte e udhës që të gjithë deputetët të ishin në sallë ën Kuvendin e Kosovës në momentin që po debatohej për Luginën e Preshevës. Me këta deklarata disa dalin pro dhe disa kundër bashkimit. Jemi të lodhur”, tha Bejtullah Bejtullahu, Kryetar i OVL UCPMB-së në Bujanoc
Me gjithë diskutimet për gjendjen e rëndë të këtyre banorëve, deputetët e kuvendit, as që e diskutuan rezolutën e presidentit Hashim Thaçi, për bashkimin e Luginës.
Ndërsa edhe propozimet e deputetëve që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, nuk arriti t’i marrë votat shkaku i mungesës së kuorumit.
Top Channel