Bashkësia Islame e Kosovës: Namazi i Bajramit falet pa ceremoni nëpër xhami
Myftiu nga Bashkësia Islame e Kosovës, Naim Tërnava ka uruar festën e Fitër Bajramit.
Ai ka thënë se nesër do të falet namazi i Bajramit, mirëpo thotë se kanë hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të kësaj feste.
“Ne nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë tona për të falur namazin e Fitër Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë. Prandaj, për të ruajtur shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke respektuar protokollet anti-COVID dhe për të falur vetëm namazin e Fitër Bajramit”, tha Tërnava.
Ai po ashtu ka kërkuar nga besimtarët që edhe këtë herë të festojnë duke respektuar masat kundër pandemisë.
“Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizita tradicionale të Bajramit, ta ruajmë karakterin e festës, do të jemi pranë njëri-tjetrit, të kemi kujdes për shëndetin publik, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar”, ka thënë myftiu Naim Tërnava.