Bashkëngjitje apo korigjim, Lugina e Preshevës shpirtërisht pjesë e Kosovës?
Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit po zhvishet nga kompetencat që ka ushtruar deri më tani. Këto veprime të Beogradit, politikanë dhe aktivistë të shoqërisë civile i kanë ndërlidhur me diskutimet rreth “marrëveshjes së ekuilibruar” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tyre, çfarëdo zgjidhjeje e pjesshme për Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ashtu siç po tenton Serbia, nuk i kontribuon zgjidhjes dhe krijon terren për trazira.
Përfshirjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në pako, e kërkon edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.
Sipas tij lënia e një pjese të Luginës jashtë kufijve të Kosovës nuk do t’i kontribuonte situatës.
Megjithëse ka diskutime për fatin e tyre, Kamberi e ka pranuar se për momentin janë vetëm në rolin e spektatorit.
“Ne kemi kërkuar bashkëngjitje me Kosovën, sipas referendumit të vitit 1992. Por kjo duhet të ndodhë në kuadër të bisedimeve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi, përmes të cilave pozita e shqiptarëve mund të përmirësohet përfundimisht. Politika jonë në raport me Serbinë gjatë këtyre viteve nuk po jep rezultatet që kemi pritur, sepse Beogradi nuk ka treguar asnjëherë vullnet për t’i integruar shqiptarët. Nëse kjo rrugë e ndjekur nuk ka dhënë rezultate, atëherë është normale që Lugina të kërkojë bashkim me Kosovën”, ka theksuar Kamberi.
“Opsioni i pranueshëm për neve është që Lugina të bashkohet me Kosovën vetëm si tërësi. Por këto nuk janë muhabete që mund të diskutohen në nivelin lokal, dhe për momentin jemi spektatorë. Palë në proces janë Kosova dhe Serbia, prandaj nuk kemi diçka zyrtare sa u përket pikave për të cilat mund të jenë pajtuar palët”, deklaroi për kohaditore Kamberi.
Kamberi ka insistuar se është herët të konstatohet se Serbia po e përgatit terrenin duke zhveshur Luginën nga kompetencat.
Sipas tij, vetëm është përmendur se mund të ketë zhvendosje të institucioneve por ende nuk kanë diçka zyrtarisht.
Presidenti Thaçi, i vetëm kishte institucionalizuar verën e kaluar kërkesën e Luginës për bashkëngjitje me Kosovën, sipas referendumit të vitit 1992.
Përfaqësues të shoqërisë civile në Bujanoc thonë se aktualizimi i temës së bashkimit të Luginës me Kosovën ka ringjallur shpresën e popullatës shqiptare për të qenë pjesë administrative e Kosovës.
Gazetari dhe aktivisti i shoqërisë civile në Bujanoc, Skender Saqipi tha për kohaditore se gjenerata të ndryshme kanë jetuar dhe jetojnë me ëndrrën e bashkimit zyrtar sepse qytetarët shpirtërisht e ndiejnë veten pjesë të Kosovës.
Megjithatë, sipas tij trajtimi i Luginës vetëm pjesërisht nuk e zgjidh problemin.
“Në rast të një marrëveshjeje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë për korrigjim kufijsh administrativë, Lugina e Preshevës duhet të trajtohet si tërësi e vendbanimeve shqiptare”, theksoi Saqipi.
Ai u shpreh për kohaditore se marrëveshje e kënaqshme kompromisi për bashkim me Kosovën mundë të jetë me përfshirjen e qyteteve Preshevë, Bujanoc dhe vendbanimeve tjera shqiptare brenda kufijve të korrigjuar që nënkupton edhe autostradën Bujanoc -Preshevë dhe bazën ushtarake në Cepotin si pika strategjike”, ka thënë Saqipi.
Sipas tij çdo korrigjim tjetër mundë të krijojë terrene për trazira të mundshme./Titulli.com/