Arifi në takim me Hill: Na kemi mangu edhe në investimet nga Qeveria Serbe në Luginë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është pritur nga kryetari i komunës së dhe Kuvendit Komunal të Preshevës Shqiprim Arifi, Sami Salihu dhe bashkëpunëtor tjerë.
Arifi, ka thënë se është i gatshëm që të kontribuoj në proceset që SHBA-ja dhe BE-ja i kanë nisur, mirëmbajtur dhe zhvilluar deri në fund përmes dialogut dhe marrëveshjes së Ohrit.
Ai ka thënë se për t’u përfshirë në negociata, kërkojnë të drejta të barabarta për shqiptarët e Luginës.
“Ne nuk jemi përfshirë, për këtë arsye unë nuk e kam nënshkruar një dokument që ka dalë ditë më parë para takimit të Ohrit sepse janë të qarta politikat dhe qëllimet e SHBA-së por sidomos të BE-së për ta çuar në një rezultat të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst ne duam të kontribuojmë por me një kërkesë që të drejtat tona në Luginë të Preshevës të respektohen, të garantohen ashtu siç i garantohen të gjitha minoriteteve në rajon dhe te ne jo vetëm që të garantohen dhe respektohen por edhe të shtohen edhe në atë aspektin e sasisë sepse ne kemi mangu në drejtat tona në jetën tonë. Na kemi mangu edhe në investimet nga Qeveria Serbe në Luginë të Preshevës. Ne kemi një diskrepancë mes asaj që kanë minoritetet e tjera në rajon në të drejta dhe ne në Luginë të Preshevës. Kjo ka qenë kërkesa ime dhe këtu ka zënë shumë vend plani shtatë pikësh i cili duhet të kontekstualizohet në ditët e sotme sepse është plan më i vjetër po i cili në parim i përmban kërkesat tona për ta krijuar një kualitet të jetës në Luginë të Preshevës përveç asaj të pasivizimit e cila ka qenë një temë e veçantë e jona për të cilën e informova në detaje ambasadorin dhe i cili me këtë çështje tash shpresojmë të kthehet në Beograd”, ka thënë Arifi.