Ambasadori Hill për vizitën në Bujanoc e Preshevë: Do të kthehem në Beograd dhe të shoh se çka mund të bëjë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një prononcim para gazetarëve pas takimit me kryetarin e Preshevës, ka thënë se do të mundohet t’i adresojë problemet dhe kërkesat e shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë.
“Ne kemi pasur një diskutim të detajuar dhe kryetari më ka njoftuar në detaje rreth problemeve të qytetarëve në Preshevë. Do të kthehem në Beograd dhe më leni të mendoj dhe të shoh se si mund të jem i dobishëm por mendoj se është shumë e rëndësishme se njerëzit e kanë të qartë në atë çfarë e thonë dhe çfarë kërkojnë”, tha ai.
Diplomati amerikan është ndalur për të komentuar edhe Marrëveshjen e Ohrit që u arrit më 18 mars mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e cila sipas tij, do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve.
“Për mua ndër elementet kryesore të kësaj ishte se Prishtina duhet të adresojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe sigurisht edhe çështjet e tjera që Kosova është pajtuar të bëjë e që mund të përmirësojnë raportet me Bashkimin Evropian”, tha Hill, ndërsa shtoi se e njëjta vlenë edhe për palën serbe.
Ambasadori Hill gjatë takimit me kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifi theksoi se çështja e minoritetit shqiptar në Serbi është ekskluzivisht çështje e shtetit të Serbisë dhe përsëriti se “nuk ka të bëjë fare me dialogun e Brukselit”.
Sipas tij, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështetë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, “pjesë e rëndësishme e së cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë”, theksoi ambasadori.
I pyetur nga gazetarët për letrën e kongresistëve amerikanë të cilët pas takimit me politikanë shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva, i kërkuan sekretarit të Shtetit Amerikan Anthony Blinken që të formojnë një komunitet të komunave shqiptare, ambasadori tha se respekton atë që thonë kongresistët, por një komunitet i tillë nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit./Titulli.com/
Ndryshe, në një konferencë për media pasi takoi përfaqësuesit politikë të Luginës së Presheves para një dite, ambasadori saktësoi se çështja e minoritetit shqiptar në Serbi është çështje e shtetit të Serbisë dhe nuk ka të bëjë asgjë me dialogun mes dy vendeve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është që të zgjidhen ndonjë çështje tjetër, çështjet e pakicave këtu apo në pjesët tjera të vendit”, tha Hill.
Sipas diplomatit amerikan, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështesë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars, pjesë e rëndësishme e së cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.