Ardita Sinani i përgjigjet akuzave të Shqiprim Arifit
Lokale

Ardita Sinani i përgjigjet akuzave të Shqiprim Arifit

02.Nov.2017 18:54
0
Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar ndaj deklaratave të Shqiprim Arfit në konferencën e parë të mbajtur për media pas marrjes së udhëheqjes së organit të përkohshëm të komunës së Preshevës. Skender Saqipi

Të dashur qytetarë të komunës së Preshevës, Pas një periudhe gati dy mujore që nga marrja e postit nga zarfi i Qeverisë serbe, Shqiprim Arifi - kryetari i organit të dhunshëm, dje doli në konferencë për media.

Sikur edhe në shumë raste tjera të paraqitjeve të tij publike, ai nuk tha gjë, pos që ndoti ambientin politik me shpifje dhe akuza të pabaza për kinse keqpërdorime, punësime partiake, manipulime e çka jo tjetër.

Unë fillimisht ndjej obligim moral, jo ndaj një personi që e gëzon karrigen e të parit të komunës jo si rezultat i vullnetit të popullit por si rezultat i lidhjeve në formë kontrabande me Qeverinë serbe, por këtë obligim e ndjej ndaj Juve që për një periudhë 6 mujore isha në krye të Komunës së Preshevës, që në pika të shkurta të sqarohem ndaj akuzave të Shqiprim Arifit, që gjithçka mund të kenë brenda, vetëm bazë jo.

Prandaj sot jam krenare që në opinionin e qytetarëve të komunës së Preshevës, në periudhën 6 mujore si kryetare e Komunës në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk e kam keqpërdorur paranë publike. Për këtë, Shqiprim Arifi mund të interesohet në administratën komunale, gjegjësisht tek arkatari dhe të shoh sa udhëtime zyrtare kam pasur në mandatin tim dhe sa është ngarkuar buxheti i Komunës me ato udhëtime zyrtare.

Për herë të parë po e bëj publik një fakt, të cilin asnjëherë nuk e kam shfrytëzuar deri më tani, me arsyetimin se me gjërat e tilla asnjëherë nuk bëj populizëm. Pjesëmarrja ime në Samitin e Danimarkës, ku isha e ftuar bashkë me kryetarin e Komunës së Bujanocit, buxhetit të Komunës së Preshevës i kushtoi vetëm 55 Euro, për dallim nga udhëtimet zyrtare të Shqiprim Arifit të cilat ishin bërë me ekip të zgjeruar madje edhe me fotograf personal dhe me qëndrim në hotele me 5 yje dhe me kosto mijëra Euro. Këtë fakt nuk e kam bërë publik asnjëherë, sepse po Ua them me sinqeritetin më të madh, që me ndershmërinë time nuk kam dashur të bëj populizëm asnjëherë. Akuzat kryesore të cilat kryetari i organit të dhunshëm i bëri gjatë paraqitjes së tij publike dje, ishin subvencionet në bujqësi, dhe subvencionet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Dëshmitarë që përfituesit e subvencioneve qoftë për bujqësi, qoftë për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që kriter për ndarjen e atyre mjeteve nuk ka qenë përkatësia partiake i kam edhe vet ata përfitues dhe udhëheqësit e drejtorateve të administratës komunale.

Ajo që unë sot dua t'Ua bëjë me dije të gjithë banorëve të komunës tonë, është fakti se i tërë ky vrerë i derdhur në konferencën e djeshme të Shqiprim Arifit, drejtuar ndaj meje dhe udhëheqjes time 6 mujore, bëhet vetëm për një arsye...tentativa për të defokusuar vëmendjen nga akuzat publike dhe dyshimet se si ndodhi që Shqiprim Arifit t'i mundësohet udhëheqja e organit të përkohshëm, duke ia mundësuar në atë organ shumicën udhëheqëse edhe me një anëtarë tjetër të subjektit të tij, e posaçërisht duke ia mundësuar këtë udhëheqje edhe me emërimin e një anëtari të SNS pa asnjë këshilltarë në Kuvendin e shpërndarë Komunal.

Një gjë tjetër që dua ta potencoj në këtë sqarim timin, është fakti se akuzat për keqpërdorim po i bën personi i cili me këmbëngulje insistoi gjatë tërë kohës në kalimin e projektit të rrugës së Karposhit, projekt ky i cili kap vlerën e 720.000 Eurove dhe gjatësia e kësaj rruge është vetëm një kilometër, projekt i cili është i vitit 2009, i pareviduar, dhe për të cilin Reviozioni ka nënvizuar të meta serioze sidomos në prokurim, ku është zgjedhur e vetmja kompani e cila ka konkuruar. Për vlerën e shtuar të këtij projekti me rreth 300.000 Euro, e din vetëm ai se me kënd i ka ndarë dhe me çfarë qëllime.

Akuzat për keqpërdorime dje i bëri personi që renovimin e kulmit të objektit të Komunës e paraqiti me vlerë prej vetëm 500.000 dinarëve, dhe në fund doli se ai mashtroi publikun, sepse gjatë mandatit tim si kryetare e Komunës kuptova se ai projekt kishte kushtuar mbi 4 milion dinarë. Sa i përket punësimeve partiake, të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës, besoj jeni në dijeni se i bëri Shqiprim Arifi, i cili në mënyrë skandaloze punësoi dy aktivist të subjektit të tij me emërimin e vendit të punës si "vullnetarë me pagesë". Gjithashtu pas marrjes së detyrës nga vendimi i Qeverisë serbe, Shqiprim Arifi emëroi drejtor në Shtëpinë e Shëndetit pronarin e një portali i cili tërë kohën bëri fushatë për subjektin e tij (APN), edhe pse kishte notimin më të dobët nga të gjithë mjekët e këtij institucioni.

Në këtë pikë, dua të Ju informoj se në mbledhjen e fundit të organit të dhunshëm 52 pikat e rendit të ditës kishin të bënin me shkarkimin e drejtorëve dhe shkarkimi i këshillave drejtues të institucioneve ku është themelues Kuvendi, duke emëruar ekskluzivisht militant partiak të APN. Kulmi i injorancës dhe hipokrizisë së Shqiprim Arifit në konferencën e djeshme ishin kritikat ndaj ndërmarrjes publike "Moravica" dhe drejtorit të saj, të cilin dikur e përdorte si flamur krenarie për udhëheqje të përgjegjshme dhe menaxhim shembullorë.

Të dashur banorë të komunës së Preshevës, Ju që këto dit për shkak të tentativave për përfitime politike grupore e personale do të bombardoheni me akuza të llojllojshme, sot dua të ndaj diçka me JU:

- Ndihem tepër krenare që kurrë në jetën time nuk kam gëzuar asnjë post e as pozitë si rezultat i përzgjedhjes nga zarfi të Qeverisë serbe,

- Ndihem shumë krenare që sot nuk jam pjesë e miratimit të Planit Aksional, projekt ky që për qëllim ka ndryshimin demografik të komunës së Preshevës me ndërtimin e shtëpive për refugjatët serb nga Kosova, Bosnja dhe Kroacia,

- Ndihem poashtu shumë krenare që për arritur në ndonjë post a pozitë politike, nuk më është nevojitur asnjë lëvdatë e asnjë kryeministri të Serbisë, lavde për të cilat Shqiprim Arifi do të mbahet mend si i vetmi politikan që një kryeministër i Serbisë ka thurr, duke shprehur edhe keqardhje për shkarkimin e tij,

- Gjithashtu ndihem shumë krenare, që gjatë mandatit tim 6 mujor në krye të Komunës së Preshevës, kabinetin tim kurrë nuk e ka vizituar asnjë përfaqësues i asnjë partie politike qëndrore të Serbisë, për të ma caktuar agjendën time politike, e as që do ta bëjë ndonjëherë në jetë.

Për dallim prej Shqiprim Arifit, që këshilltarë politikë i ka përfaqësuesit e SNS të cilët shumë shpesh kanë vizituar kabinetin e tij, takime për të cilat asnjëherë në karrierën e tij shumë të shkurtër politike nuk ka pasur as guximin e as ndërgjegjen ta thotë as edhe një fjalë të vetme. Andaj të Nderuar qytetarë të komunës së Preshevës, kam besimin e plotë tek Ju, që në garën e ardhshme politike, kurdo që do të caktohet ajo, do të dini të ndërpreni të keqen që po iu kanoset nga persona të instaluar me vendim Qeverie e jo me votat Tuaja, ashtu siç në historinë e Preshevës keni ditur të ndërpreni shumë të këqija gjatë periudhave të ndryshme, periudha këto për të cilat kryetari i organit të dhunshëm ka një vakum të madh informacioni.

Me respekt, Ardita SINANI

Konkurs për studime master në Universitetin e Novi Pazarit në Preshevë
Arifi kërkoi nga kryeparlamentari Xhaferi hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc (VIDEO)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration