Arbanasi, fshati historik shqiptar në Bullgari
Atraktive

Arbanasi, fshati historik shqiptar në Bullgari

23.Dec.2019 08:00
0

Referuar shkrimeve për ngulimet e njohura shqiptare nga trojet kombëtare, një ngulim i madh e plot histori është një fshat i fisëm shqiptar, më saktësisht në Bullgari, pranë ish-kryeqytetit historik të këtij vendi, Veliko Tarnovos, i quajtur Arbanas.

 

Thuhet se fshati i fisëm Arbanasi ndodhet pikërisht në qendër të një grupi vendbanimesh, që përbëhet nga Veliko Tarnovo, Gorna Oriahovica dhe Liaskovec, në largësi rreth 4 km nga secili syresh. Ai gjendet në një pllajë (gjë që të kujton një tjetër ngulim të njohur të mërgatës mesjetare shqiptare) dhe pamje të mahnitshme nga fortesat mesjetare Carevec dhe Trepezica.

Po ashtu, fshati hamendësohet se është themeluar në shekullin XV nga shqiptarë ortodoksë të ardhur kryesisht nga Shqipëria Jugore, zona e Kosturit dhe Epirit, që merreshin me tregtinë e dhenve, që shpesh bashkë me dhentë e tyre rrugëtonin gjer në Danub dhe Vllahi dhe paskëtaj do ta shndërronin këtë zonë në vendbanimin e tyre.

Me një ferman të sulltanit Sulejman të Madhërishmit, fshati Arbanas i dhurohet dhëndrit të tij, Rustem Pashës, Vezirit të Perandorisë Osmane, i cili gjithaq njihet për origjinën e tij shqiptare nga burimet historike dhe sakaq ngulimi arbëror në tokat bullgare shpejt kthehet në një fshat të spikatur me banorë të kamur, të cilët tregtojnë dhen, mish, lëkurë, prodhime qumështi, bakër, sapun, qirinj, etj., duke shkelur çdo cep të Perandorisë, por edhe Vllahinë, Hungarinë, Poloninë, Principatën e Moskës, duke vajtur gjer në Bagdad, Indi dhe Persi.

Image

Faktikisht, shqiptarët ortodoksë do të vendosen në disa ngulime në Bullgarinë Veriore, por me gjasë, ngulimi i parë i tyre do të jetë pikërisht Arbanasi pranë Veliko Tarnovos.

Janë pikërisht afresket dhe mbishkrimet e tjera kishtare të Arbanasit që dëshmojnë se ky ngulim themelohet diku nga mesi i shekullit XV. Ndërkaq, në dokumentet osmane të kohës, jo vetëm Arbanasi, por edhe ngulimet e afërta Gorna Oriahovica, Dolna Oriahovica dhe Liaskovec, quhen bashkërisht “Arnavud Kariyeleri”, pra “Fshatrat Shqiptarë”.

Nga të dhënat mesjetare, në vitin 1751 Arbanasi të ketë patur 236 shtëpi të krishtera shqiptare e gjithashtu dëshmohet për praninë e shqiptarëve edhe në fshatrat e tjerë të zonës, si ishuj të izoluar mes një deti popullsie bullgare.

Në gjysmën e parë të shekullit XVI Arbanasi zhvillohet si ngulim i kamur blegtorësh, artizanësh dhe tregtarësh. Do të ndërtoheshin plot kisha, me afreske të mahnitshme, krejtësisht të pahasshme tjetërkund në Bullgari.

Ndërkaq, edhe vetë arkitektura e Arbanasit të kujton fort Shqipërinë e Jugut, veçanërisht Gjirokastrën dhe Beratin, e një tjetër dëshmi e rëndësishme na vjen nga fakti se afresket e para të kishës së Shën Gjergjit në Arbanasi janë vepër e mjeshtrit Nikolla, biri i Onufrit të madh, por gjithashtu përveç Nikollës, birit të Onufrit, në kishat e Arbanasit haset edhe emri i ndihmësit të tij, Joanit.

Sot Arbanasi është një fshat turistik në Bullgarinë Veriore, me 330 banorë (kurse në pikun e zhvillimit, pati arritur thuajse në 3000 banorë), ku bullgarët e pasur kalojnë pushimet dhe kanë vilat e tyre, fshat ku vizitori mahnitet nga hijeshia, historia dhe doket e këtij ngulimi unik me një trashëgimi shqiptare kaq të prekshme.

Në Bullgari, siç pohon edhe historiani bullgar Bojan Gjyzelev, falë të cilit kemi fatin të njohim edhe shumë të dhëna lidhur me praninë arbërore në Bullgarinë mesjetare, ngulime shqiptare ka pasur edhe në Çervena Voda në zonën e Ruses buzë Danubit (tjetër përputhje interesante, pasi edhe në Shqipërinë Jugore kemi një qytezë, Çorovodën, me të njëjtën etimologji), në Poroishte (sërish të mbiquajtur Arnavutköy), sot lagje e qytetit të Razgradit, si dhe në Dobrina e Devnia, pranë qytetit të Varnës, nga ku rrjedhin shqiptarët e Ukrainës./Elvi Sidheri, KultPlus/

Saihu: Nga 8000 bie numri në 1000 shqiptarë në Medvegjë
Mbahet punëtori në Bujanoc me temën “Teknologjia dhe rinia e shëndoshë”
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration