APN përjashtoi këshilltarin Argjend Sherifi nga grupi i këshilltarëve në kuvendin komunal në Preshevë
Kryesia e ALTERNATIVËS për Ndryshim, ka përjashtuar këshilltarin Argjend Sherifi nga grupi i këshilltarëve të APN-së në kuvendin komunal në Preshevë, thuhet në kumtesën e APN-së.
Kumtesa e plotë nga APN:
Në mbledhjen e fundit të kryesisë, të mbajtur në selinë qendrore, në mënyrë unanime u votua shkarkimi i Argjend Sherifi nga grupi i këshilltarëve si dhe përjashtimi i tij nga ALTERNATIVA për Ndryshim.
Pas deklaratave të tij të fundit për distancim dhe ndjekje të një agjende personale e cila kryekëput bie ndesh me aktivitetin e tij të deritanishëm brenda subjektit të ALTERNATIVËS si dhe për veprimet në kundërshtim me interesat publike dhe programin e subjektit ALTERNATIVA, e cila e zhvendosë atë si të orientuar dhe përcaktuar nga ndikimi i individëve me influencë të drejtpërdrejtë të Oligarkisë me ndërlidhje të errëta në Serbi.
Kryesia e ALTERNATIVËS për Ndryshim, qëndrimet e tij të fundit i hedh poshtë dhe i konsideron si shkelje të statutit, si dhe në kundërshtim të plotë me programin NDRYSHE për qytetin e Preshevës!
Shërbimi për Informim- Alternativa për Ndryshim
22 Tetor 2023