AMPL: Pushtetet lokale, kujdes ndaj mediave
Asociacioni i Mediave të Pavarura të Luginës-AMPL, i përbërë për momentin nga Radiotelevizioni Spektri dhe Portali i Pavarur Informativ Titulli përkrahin pa rezervë propozimet për reformën mediale në Serbi. Me këtë rast, përkrahim fuqishëm propozim-draftin e Ligjit për informim i cili parasheh se që nga 1 janari i vitit 2014 asnjë medium të mos jetë më në pronë të organeve shtetërore, qofshin ato qendrore apo lokale. Meqë ky propozim shumë shpejtë do të jetë në duart e deputetëve të parlamentit republikan, kërkojmë nga autoritetet lokale të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës të presin të gatshme reformën mediale dhe të nisin procedurat për privatizimin e Rtv Bujanoci, Rtv Presheva dhe Radio Medvegja. Kërkojmë nga këto autoritete të jenë konstruktive dhe mos të keqpërdorin me frazën e “rrezikimit të informimit në gjuhën e pakicave në rast të privatizimit “, ngase transformimi medial është njëri ndër parakushtet që Serbia duhet t’i plotësojë për marrjen e statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian. Në ndërkohë, kërkojmë nga pushteti lokal i Bujanocit që si themelues që është të ketë kujdesie të veçantë ndaj sjelljeve të Rtv Bujanoci. Edhe pse komuna ka ndarë mëse 32 milionë dinarë, ky i ashtuquajturi medium po vazhdon me avazin e amatorizmit, joproduktivitetit dhe fëlliqjes së hapësirës mediale në këtë komunë. Shembulli më i fundit i keqëpërdorimit të fëmijëve shkollorë për nevojat e kronikave televizive dëshmon më së miri se ndaj udhëheqësve të RTB-së duhet të ndërmerren edhe procedura penale. Shfaqim dronë se edhe komuna e Bujanocit është duke u thelluar në probleme pasi që vitin e kaluar ka ndarë mjete për shtrirjen ilegale të sinjalit të RTB-së. Kur është fjala te pushteti lokal, kërkojmë nga ai në Bujanoc që të ketë kujdes gjatë ndarjes së mjeteve për disa portale ilegale, ndërsa jemi edhe kundër që djersa e taksapaguesve të kësaj komune të derdhet për nevojat e mediave në Preshevë. Autoritet lokale të Preshevës duhet të krijojnë një fond të posaçëm për nevojat e mediave të pavarura e jo të luajnë me simbolikën qesharake të paraparë në buxhet. AMPL i bënë thirrje autoriteteve lokale në Luginë që të kenë kujdes edhe ndaj punëtorëve medial duke mos i trajtuar ata si lodër të politikës ditore. Ky institucion do të vazhdojë të gjykojë çdo dukuri negative e cila mund të orientohet ndaj mediave apo njerëzve që punojnë në to, duke i njoftuar edhe organet relevante vendore dhe ato ndërkombëtare. Bujanoc: 17.02.2013Këshilli nismëtar i AMPL-së