Lokale
Amir Rexhepi: Atë që nuk e bërën politikanët e Luginës, e bëri Titulli.com
Paraqitja e rastit të mjekëve të Luginës në portalin Titulli.com, për mospranim në konkursin për specializim në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës ka ndikuar tek udhëheqësit e kësaj ministrie që të ndryshojnë qëndrim.
Amir Rexhepi, mjek nga komuna e Bujanocit i cili bëri publike këtë rast, sot ka njoftuar portalin Titulli.com se pikërisht publikimi i rastin nga mediumi në fjalë ka ndikuar që mjekët e Luginës të gëzojnë dhjetë kuotat e ndara për specializim nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
“Pas reagimit tonë në www.tituli.com, iu është mundësuar aplikimi mjekëve të Luginës së Preshevës që të aplikojnë për konkurs për specializim të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, pa kushtin që të jenë të pajisur me licencë të Kosovës, pasi ajo kishte ndarë një kuotë prej 10 vendesh për Luginë të Preshevës”, ka thënë për Titullin mjeku Amir Rexhepi.
Ai me këtë rast është shprehë: “Atë që nuk e bënë disa politikanë që mëtojnë e thirren për të drejta të shqiptarëve, e bëri një media!
Që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës të ndryshojë qëndrim rreth aplikimit pa licencë të Kosovës për mjekët e Luginës, u deshën më pak se 12 orë nga publikimi i rastit.
Shkrimi me titull “Skandaloze: Ministria e Shëndetësisë la pa specializim mjekët e Luginës” u publikua të martën, më 17 dhjetor, ndërsa Ministria ndryshoi qëndrim të mërkurën.
Mjeku Rexhepi rastin në fjalë e kishte paraqitur edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar i cili kishte premtuar regjistrim mjekëve pa licencë të Kosovës, duke e ditur se mjekët nga Lugina e Preshevës kanë licencë të Serbisë, mirëpo nga ky institucion ishte ndarë i dëshpëruar dhe pa zgjidhje të këtij rasti.
“Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kërkon që mjekët nga Lugina të konkurrojnë me licencë të Republikës së Kosovës (e për t’u pajisur me këtë duhet letërnjoftimi i R. së Kosovës). Rrjedhimisht, ai që ka licence të Kosovës është shtetas i R. së Kosovës dhe do të konkurronte pa problem si shtetas i Kosovës dhe jo i Luginës së Preshevës!”, i pat thënë portalit Titulli mjeku nga Bujanoci Amir Rexhepi, të cilit para se të ndryshonte vendim Ministria, nuk i ishin pranuar dokumentet.
Ai me këtë rast kishte kritikuar edhe Këshillin Kombëtar Shqiptar si dhe disa politikan aktual të Luginës që po dështojnë për ditë e më shumë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!