AGK: Të papranueshme akuzat e Shqiprim Arifit në drejtim të korrespodentit të RTK-së, Baki Rexhepi
PRISHTINË, 05.03.2021 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, i vlerëson tejet shqetësuese deklaratat e Kryetarit të Alternativës për Ndryshime, Shqipërim Arifi, në drejtim të korrespodentit të Radio Televizionit të Kosovës në Luginën e Preshevës, Baki Rexhepi.
Arifi mbrëmë përgjatë një interviste në një televizion të Kosovës, e ka akuzuar Rexhepin se është një person i korruptuar dhe prandaj nuk deklarohet për RTK-në, duke shtuar se ka fakte për këto që flet.
"Jo unë nuk jap pikësëpari mas pari intervistë për RTK-në, pikë së pari....Unë e bojkotoj RTK-në, për arsye se korrespodenti i RTK-së në Preshevë është person korrupt...Unë kam edhe dëshmi për këtë, nuk është shumë problem edhe e kam njoftuar RTK-në edhe për këtë, s'kanë marrë masa, unë e bojkotoj RTK-në, e lëre më mediet lokale të cilat për mua në mënyrë personale shpifin në mënyrë të pandërprerë", ka deklaruar ai.
Në lidhje me këtë deklaratë, AGK-ja ka kontaktuar edhe drejtorin e RTK-së, Festim Kabashi, i cili ka deklaruar se nuk ka pranuar ndonjë ankesë për korrespodentin, Baki Rexhepi.
"Prej fillimit të mandatit tim si drejtor i RTK-TV, (03.11.2020) nuk kam pranuar asnjë ankesë nga kryetari i Alternatives për Ndryshime, z.Shqiprim Arifi, për asnjë raportim apo angazhim jokorrekt te ndonjë gazetari apo korrespodenti të RTK-së".
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kolegut tonë, Baki Rexhepi, duke i cilësuar akuzat në fjalë si jashtëzakonisht të rënda dhe që nuk përkojnë aspak me të vërtetën. Për më tepër, Rexhepi ka deklaruar se ai gjithnjë është bojkotuar si gazetar nga z.Shqipërim Arifi.
Rexhepi duke kërkuar reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka informuar që tashmë ka filluar t'i ndjekë të gjitha rrugët ligjore kundër deklaratave të z.Arifit, i cili sipas tij me këtë akuzë ka njollosur dinjitetin e tij personal dhe ka dëmtuar integritetin dhe kredibilitetin e tij profesional.
AGK-ja kërkon nga z.Shqiprim Arifi, që të kërkojë falje për gjuhën e përdorur në drejtim të kolegut tonë dhe të gjitha pakënaqësitë t'i adresojë përmes organeve të drejtësisë.