A do të jenë shqiptarët pjesë e Qeverisë serbe?
Pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nga jugu i Serbisë, dukej se kishin gjetur një gjuhë të përbashkët për bashkëpunim.
Mirëpo, një pengesë në këtë drejtim u paraqit pas formimit të qeverisë lokale në Bujanoc, një qytet me 12 mijë banorë në jug të Serbisë.
Katër parti shqiptare ranë dakord të qeverisin në Bujanoc, pa pjesëmarrjen e partive serbe, kështu që koalicioni i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila fitoi 10 vende dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS) me tre këshilltarë, mbetën në opozitë.
Ky problem, që u paraqit në nivel lokal, u zhvendos edhe në atë qendror, duke çuar në një ftohje të raporteve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar ashpër këtë veprim të forcave politike shqiptare, madje duke deklaruar se hapësira e Serbisë për manovrim në bisedime me Kosovën do të shkurtohet, ndër të tjera, edhe për shkak të "krijimit të një qeverie të vetme shqiptare kundër serbëve në Bujanoc".
Shteti duhet të zgjidhë problemet
Kreu i Partisë për Veprim Demokratik njëherësh deputet në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, tha për Radion Evropa e Lirë se shteti në mënyrë që të shmangë tensionet, nuk duhet të ndërhyjë në koalicionet partiake në mjedise shumëkombëshe, por duhet të angazhohet në zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në Bujanoc, një qytet në jug të Serbisë, 300 kilometra larg Beogradit, që nga viti 2002 pushteti lokal gjithmonë është formuar bashkërisht nga partitë shqiptare dhe serbe.
Në këtë vend, sipas të dhënave të fundit, komuniteti shqiptar përbën 65 për qind të popullsisë.
Marrëveshja për formimin e shumicës qeverisëse, pas zgjedhjeve të mbajtura më 21 qershor, u arrit nga partitë shqiptare: Partia Demokratike (PD), Partia për Veprim Demokratik (PDD), Lëvizja për Progres Demokratik (PDP) dhe Alternativa për Ndryshim (AZP).
Tashmë, Bujanoci është ndër komunat e rralla ku Partia Përparimtare Serbe nuk është në pushtet. Kjo parti do ta formojë Qeverinë e ardhshme të Serbisë.
Në seancën konstituive të mbajtur më 23 korrik me 25 vota për, Nagip Arifi, kreu i PD-së, u zgjodh kryetar i Komunës së Bujanocit.
Të pakënaqur me formimin e qeverisë lokale njëetnike, këshilltarët e partive serbe u larguan nga seanca.
Kjo ndodhi vetëm disa ditë pas takimit për formimin e qeverisë së re ndërmjet delegacionit të partive shqiptare me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Në atë takim, shqiptarët shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në qeveri dhe kërkuan këto pozita: ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, ndihmësministrin e Ekonomisë, Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Arsimit dhe pozicionin e presidentit të Trupit Koordinues.
Megjithatë, pas formimit të qeverisë lokale në Bujanoc, reagimet nga Beogradi kanë qenë të stuhishme, duke zbehur mundësitë për këtë bashkëpunim.
Qëndrimi negativ ndaj shqiptarëve
Shaip Kamberi thotë se shqiptarët e jugut të Serbisë, që nga viti 2001, kur përfundoi konflikti i armatosur, gjenden në “një lloj procesi politik herë të vdekur, herë të gjallë”, duke pamundësuar zgjidhjen e problemeve jetësore.
"Kjo do të thotë që shteti në vazhdimësi shmangte trajtimin e shqiptarëve si partnerë të barabartë, duke pasur një qëndrim negativ ndaj nesh. Ja, edhe tani po përpiqet të paraqesë formimin e qeverisë në Bujanoc si një të keqe të përgatitur nga shqiptarët, në mënyrë që të justifikojë disa hapa të radhës, të cilat ndoshta çojnë në mospranimin tonë si pjesë e qeverisë dhe mosfillimin e një dialogu për planin shtatëpikësh që e kemi kërkuar nga presidenti Vuçiq ”, theksoi Kamberi.
Për Vuçiqin, Bujanoci është shantazh
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një prej reagimeve të tij ka sinjalizuar se zhvillimet në Bujanoc mund të rrezikojnë pranimin e mundshëm të shqiptarëve në Qeverinë e Serbisë.
Duke folur në Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq, më 23 korrik, tha se mungesa e partisë së tij në pushtetin lokal në Bujanoc ishte bërë "me ndikimin e Tiranës në mënyrë që ata të mund të shantazhonin Serbinë".
"Përfaqësuesit shqiptarë erdhën tek unë dhe thanë: 'Vuçiq, na integroni në organet shtetërore, na integroni në sistem'. Unë isha i lumtur dhe thashë: 'Pa problem, do të mendoj për këtë'. Dhe pastaj të nesërmen shkojnë në Shqipëri dhe atje u thuhet që të formojnë një qeveri pa 42 për qind të serbëve", tha Vuçiq.
Mitroviq: Pala shqiptare ka ndryshuar mendim
Nenad Mitroviq, kryetar i degës së Partisë Përparimtare Serbe në Bujanoc, i tha Radios Evropa e Lirë se, pas zgjedhjeve, ata ranë dakord me PD-në për formimin e përbashkët të qeverisë, por më pas, pala shqiptare ndryshoi mendje.
"Si dy parti me më së shumti mandate, ne u pajtuam të formojmë një qeveri së bashku me PD-në. Sidoqoftë, ata u thirrën për konsulta urgjente në Tiranë, dhe pasi u kthyen nga Shqipëria, (Nagip) Arifi na informoi se po hiqte dorë nga koalicioni me SNS-në, për shkak të një deklarate politike që i detyron ata të formojnë një qeveri ekskluzivisht me partitë shqiptare”, theksoi Mitroviq.
Sidoqoftë, Shaip Kamberi, gjatë bisedës për Radion Evropa e Lirë theksoi se formimi i qeverisë lokale njëetnike në Bujanoc ishte i bazuar nga dëshira për të zgjeruar elektoratin shqiptar, dhe jo për shkak të udhëzimeve nga Tirana. Ai tha se vendimi nuk ka asnjë lidhje me ndonjë qëllim për shantazh.
"Ne nuk e kemi fshehur se do të kemi një qëndrim të përbashkët edhe pas zgjedhjeve, për të cilën morëm mbështetje nga Tirana, por kjo nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Dëshira jonë është që të zgjerojmë vetë elektoratin tonë dhe jo të shantazhojmë", tha Kamberi.
Sipas tij, partitë shqiptare nuk mund ta shantazhojnë shtetin “pasi ai është më i fortë se ato”./Rel/