Serbia s'i përgjigjet Shqipërisë për diplomat në Luginë
Pesë muaj pas takimit në Beograd mes dy kryeministrave, Serbia nuk i është përgjigjur ende Shqipërisë për njohjen e diplomave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.Ministria e Jashtme e Shqipërisë thotë se marrëveshja është në proces, ndërsa Partia Demokratike e quan Ramën një gënjeshtar, që nuk mbajti premtimin e bërë në mes të Beogradit për diplomat e shqiptarëve.
“Ka qenë një kërkesë e kahershme, madje shkëmbimet e larta zyrtare ishin kushtëzuar me këtë marrëveshje. Prandaj gjatë kohës që ne ishim në Qeveri nuk pati më tej marrëveshje të tjera dhe shkëmbime të larta, sepse ne kërkonim si kusht që Serbia të njihte diplomat, minimalisht duhet të njihte diplomat. Kryeministri tha se po negociohet. Nuk ka gjë për t’u negociuar, ose bëhet marrëveshja ose nuk bëhet. Është shumë e thjeshtë, njohja e diplomave është marrëveshje klasike. Kjo do të thotë që kryeministri ka gënjyer publikisht. Nëpërmjet mediave le të njihet opinioni publik, marrëveshjet janë klasike, standarde për njohjen e diplomave. Kryeministri tha e kam arritur marrëveshjen, sot kaq muaj pas kësaj deklarate, nuk ka marrëveshje”, tha ish-ministri i Jashtëm, tash deputet i PD-së, Aldo Bumçi lidhur me marrëveshjen me Serbinë për njohjen e diplomave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Por, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Sokol Gjoka, tha se marrëveshja është në proces, dhe se deri më tani nuk është konkluduar për shkak se Serbia nuk i është përgjigjur Shqipërisë.
“Unë kam qenë drejtor politik, natyrisht që mbuloja këtë pjesë të Evropës Juglindore bashkë me Serbinë qysh në vitin 2008-2009. Edhe kjo marrëveshje ka qenë në dosjen tonë, por pala serbe nuk është përgjigjur dhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite që pala serbe nuk po na përgjigjet për realizimin e kësaj marrëveshjeje. Deklarata e kryeministrit ka qenë një deklaratë publike që ka pasur një vullnet politik nga të dy palët, dhe ne që po ecim tashmë për realizimin e kësaj deklarate publike, domethënë duke iu imponuar dhe palës serbe, ne jemi në këtë fazë tashmë që jemi në rrugën e realizimit të një marrëveshjeje të tillë. Së shpejti do të ketë një takim në nivel ekspertësh të fushës së arsimit dhe për të ecur drejt realizimit të një marrëveshjeje që besoj është e vlefshme”, tha Gjoka, transmetojn mediat shqiptare.
Në këtë kuadër të zbatimit të marrëveshjeve mes shtetesh, edhe zëvendësministrja e jashtme Odeta Barbullushi tha se edhe marrëveshjet e përbashkëta me Kosovën nuk janë në nivelin që të dy vendet do të dëshironin të ishin, sidomos në aspektin ekonomik, pasi aktualisht niveli tregtar Shqipëri-Kosovë është shumë i ulët, edhe pse nga mbledhja e parë e deri në mbledhjen e dytë ka pasur një rritje diku te 17 milionë euro.
Por, sërish Kosova ka vëllim më të lartë tregtar me Serbinë, Kroacinë dhe Slloveninë sesa me Shqipërinë. Sa i përket pengesave të realizmit të marrëveshjeve deri më tani Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se problem është bërë edhe mungesa e qeverisë së Kosovës pas përfundimit të zgjedhjeve, porse kjo vonesë e implementimit të marrëveshjeve do të rikuperohet në të ardhmen. /Titulli.com/