PVD e përçarë para seancës, kërkohet veprim unik i këshilltarëve (Foto)
Në prag të seancës së 25-të të Kuvendit komunal të Medvegjës vazhdimi i së cilës është shtyrë për herë të katërt për të enjten, 9 prill, të mërkurën është mbajtur Kuvendi i degës së Partisë për Veprim Demokratik (PVD). Takimi është mbajtur në sallën e Kuvendit komunal, ndërsa prezentë ishin: Riza Halimi, lider i partisë dhe deputet popullor, Shaip Kamberi, deputet popullor, Galip Beqiri, ish kryetar i KKSh-së, Fehmi Beha, kryetar i degës së PVD-së në Medvegjë, zëvendëskryetari i komunës, Florim Sahiti dhe anëtarë të tjerë të partisë.Pika më e rëndësishme e këtij takimi ishte përçarja politike brenda grupit të këshilltarëve të PVD-së e cila është në pushtet me grupin e qytetarëve "Për Jabllanicën e epërme", me ç'rast kryetari i degës së PVD-së Fehmi Beha i ka bërë kërkesë me shkrim Kuvendit komunal që ta shkarkojë nga ky post ngase nuk pajtohet më me politikën të cilën po udhëheqë mazhoranca. Në këtë drejtim shembullin e tij e kanë ndjekur edhe dy këshilltarë të tjerë.
Debati kryesor është udhëhequr rreth mundësisë së dështimit të mbajtjes së seancës së 25-të gjë që për pasojë do të ketë futjen e masave të përkohshme në Medvegjë me ç'rast shqiptarët do të pësonin pasojat më të mëdha.
"Sa i përket problemeve të shqiptarëve të Medvegjës, ju i dini ato, kemi probleme me pasivizimin e adresave, kemi probleme në arsim, me fakultete. Nëse nuk afrohemi ne shqiptarët do të humbim 25,2 milion dinarë mjete të parapara me buxhet për vitin 2015 për vendbanimet shqiptare, për infrastrukturë, bashkësinë islame dhe prioritete të tjera të komunitetit shqiptar" tha zëvendëskryetari i komunës, Florim Sahiti. Ai shtoi se për momentin 92 shqiptarë janë të punësuar në Medvegjë, kurse 29 familje janë përdoruese të asistencës sociale. Sipas tij, Medvegjës po i kanoset rreziku i mbylljes së fakulteteve, shkollave ndërsa masat e dhunshme do të keqësonin gjendjen edhe më tepër.
Në anën tjetër, kryetari i degës së PVD-së në Medvegjë, Fehmi Beha duke arsyetuar aktin e tij të dorëheqjes tha se popullata është e pakënaqur dhe se prandaj ai ka vendosur ta shkarkojë vehten.
"Kam punuar shumë rreth zgjedhjeve lokale, rreth zgjedhjeve parlamentare dhe atyre për Këshill nacional, kam pasur shpenzime të papërballueshme. Politika e punësimit ka shkaktuar pakënaqësi, punëtorët po punësohen me kontrata të përkohshme, rrugët në fshatrat shqiptare nuk janë rregulluar", tha ai. Beha shtoi se pasiqë nuk është arritur ajo që është paramenduar, ai ka vendosur të japë dorëheqje duke ripërsëritur vendimin e tij se nuk do të revokojë dorëheqjen dhe se nuk do të jetë prezentë as në seancën e nesërme.
"Mosardhja e dy këshilltarëve në këtë kuvend është joserioziteti më i madh që kam parë në këto 24 vjet", tha lideri i PVD-së, Riza Halimi duke aluduar në dy këshilltarët të cilët po mbështesin z. Beha që të mos jenë pjesë e punës së kuvendit komunal.
Ai ftoi këshilltarët që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të diskutojnë hapur problemet. "Nëse se mbroni interesin e partisë ju nuk e keni pasur vendin këtu, haram ju qoftë!", tha Halimi. Duke e komentuar vendimin e z. Beha që të japë dorëheqje, Halimi tha se po ta kishte bërë këtë më herët do ta kishte marrë si shumë më të sinqertë dhe më serioze duke thënë se aspeki i moralit e ka kuptimin që "jep dorëheqje e ia lë vendin dikujt tjetër".
"Në përfundim të mandatit nuk është serioze të tërhiqesh. Nëse hyjnë masat e përkohshme shqiptarët do të jenë në situatë të disfavorshme. Cila është garanca që shqiptarët do t'i realizojnë të drejtat nëse t'i jep dorëheqje?", tha deputeti popullor Shaip Kamberi.
Ish kryetari i Këshillit kombëtar, Galip Beqiri tha se është absurd i kohës kjo që po ndodhë. "Këto veprime janë katastrofale sepse që nga tani e shohim se si do të jetë e nesërmja", tha Beqiri.
Takimi mbaroi me ftesë nga përfaqësuesit më të lartë të PVD-së që këshilltarët të jenë unikë në punë, të vazhdojnë të punojnë të mos lejojnë të futen masat e përkohshme, me mesazhin se gjashtë këshilltarët shqiptarë do të përgjigjen para njerëzve dhe historisë për veprimet e tyre. /mepress.info/Titulli.com/
>>A po shkon Medvegja drejt zgjedhjeve të parakohshme lokale?