Bujanoc: Konferencë mbi qëndrimet e të rinjve shqiptarë ndaj Planit Shtatëpikësh
Lokale

Bujanoc: Konferencë mbi qëndrimet e të rinjve shqiptarë ndaj Planit Shtatëpikësh

10.May.2025 07:17
0

Në sallën e Kuvendit Komunal të Bujanocit, sot u zhvillua konferenca me temë: “Analiza e qëndrimeve të të rinjve shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva mbi Planin Shtatëpikësh”. Kjo konferencë u organizua në kuadër të projektit “Prioriteti i implementimit të Planit 7 pikësh për të rinjtë e pakicës kombëtare shqiptare”, i financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Serbi, përmes Iniciativës Qytetare në Beograd, dhe po zbatohet në partneritet nga Qendra për Demokraci dhe Edukim – Lugina dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Bujanoc.

Në hapjen e konferencës, moderatori Agon Islami theksoi se të gjeturat e prezantuara vijnë nga terreni dhe përfaqësojnë qëndrimet e të rinjve shqiptarë të moshës 18–30 vjeç nga komunat e Bujanocit dhe Preshevës. Ai njoftoi se analizën e gjetjeve do ta prezantojë Zoran Gavriloviq nga organizata BIRODI – Biro për Hulumtime Shoqërore.

Gjatë paraqitjes së tij, Gavriloviq deklaroi: “Jam i shokuar që, si qytetar i Serbisë, nuk kam dëgjuar kurrë për Planin shtatëpikësh,  ndërsa tani kuptoj rëndësinë që ka ky plan për shqiptarët në Serbi.” Ai theksoi se një ndër sfidat më të mëdha për të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës është mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, e cila përbën pengesë për punësim dhe siguri profesionale. Sipas tij, edhe kur punësohen, të rinjtë shpesh angazhohen në pozita që nuk korrespondojnë me nivelin e tyre arsimor, dhe për paga më të ulëta.

Gavriloviq potencoi gjithashtu se shumica dërrmuese e të anketuarve nuk kishin dëgjuar për Planin shtatëpikësh, ndërsa vlerësuan se situata aktuale e të rinjve është më shumë negative se pozitive, me papunësinë si sfidën më kritike në komunën e Bujanocit. Ai përmendi edhe problemet me pasivizimin e adresave dhe bindjen e përhapur se shqiptarët janë të diskriminuar në punësimin në institucionet shtetërore.

Të rinjtë që kishin dëgjuar për Planin shtatëpikësh thanë se informacioni u kishte ardhur kryesisht nga deklaratat e deputetëve nga Lugina e Preshevës, veçanërisht nga Shaip Kamberi. Këto deklarata, sipas tyre, janë pasqyruar më shumë në mediat lokale, dhe më pak në rrjetet sociale. Ndër shqetësimet e tjera të ngritura ishte edhe mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Lidhur me moszbatimin e Planit, 30.8% e të anketuarve fajësuan Qeverinë e Serbisë, 22.7% Trupin Koordinues, dhe 19.2% Kuvendin e Serbisë.

Në diskutim, Gëzim Murati nga organizata The Future ngriti pyetjen nëse moszbatimi i Planit lidhet me raportet Kosovë–Serbi. Gavrilović u përgjigj se problemi qëndron në mungesën e institucioneve kredibile dhe në dominimin e etnonacionalizmit, i cili, sipas tij, ka zëvendësuar patriotizmin kushtetues.

Aktivistja Tuba Avdiji theksoi mungesën e informimit të të rinjve shqiptarë për Planin 7 pikësh, duke nënvizuar se ata nuk kanë pasur mundësi reale për t’u njohur me përmbajtjen e tij.

Ndërkohë, këshilltari komunal Rahim Salihi tha se problemi nuk është mungesa e informimit, por moszbatimi i planit. Ai kritikoi Trupin Koordinues, duke thënë se, megjithëse është institucioni kryesor përgjegjës, nuk ka shfaqur gatishmëri për të nisur procesin e implementimit, dhe sipas tij, “shteti dëshiron ta eliminojë këtë iniciativë.”

Nga ana tjetër, Bujar Mustafa nga organizata BEYOND propozoi që Plani të përfshijë një aneks të veçantë për të rinjtë shqiptarë, që do të parashikonte linjë të dedikuar buxhetore për punësim, praktika dhe mbështetje konkrete. Ai e bazoi këtë propozim në përvojën e projektit të fundit të realizuar në bashkëpunim me organizatën People in Need.

Kjo konferencë u organizuar në kuadër të projektit ‘Prioriteti i implementimit të Planit 7 pikësh për të rinjtë e pakicës kombëtare shqiptare’ të financuar nga Ambasada e Bitanisë së Madhe në Serbi, përmes Iniciativës Qytetare në Beograd, e që po implementohet në partneritet nga Qendra për Demokraci dhe Edukim – Lugina, në partneritet me Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Bujanoci.

Seanca e 3-të e Kuvendit Komunal të Bujanocit
Shqipëri: Zgjedhjet parlamentare më 11 maj, provë vendimtare për në BE
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration