Rruga që lidhë Malësinë e Bujanocit
Dikur Malësia e Bujanocit gumëzhinte nga dhjetëra fshatra të kësaj ane, të gjitha të banuara me shqiptarë. Tashti, banorët në këtë trevë mund të numërohen në gishtërinj, ngase shumica prej tyre lanë shtëpitë, arat, pyjet e varrezat e të parëve dhe u shpërngulën në Gjilan, Fushë-Kosovë, Prishtinë e gjetiu.Trysnia nga xhandarmëria serbe, mungesa e perspektivës në fshat dhe shumë halle të tjera bënë që këto anë të boshatisen. Megjithatë, asnjëherë ata që u shpërngulën nuk e harruan vendlindjen e tyre dhe të të parëve.
Muhoci është fshati i parë që është mëtanë kufirit të Kosovës dhe deri tek i cili shkon asfalti, por që nuk vazhdon tutje drejt fshatrave të tjera. Ismet Tafili, veprimtar nga ajo anë, thotë se ideja për asfaltimin e rrugës Zarbicë-Muhoc asnjëherë nuk është ndërprerë edhe sa ishin banorët e fshatrave të Malësisë në shtëpitë e veta, por edhe pasi u dëbuan nga vendlindjet e tyre.
Sipas tij, një riaktualizim më i madh u bë në fillim të vitit 2014 dhe vazhdoi gjatë tërë vitit duke zhvilluar biseda me bashkatdhetarët e fshatrave Zarbicë, Priboc, Suharrnë, Novosellë, Ramabuqë, Qarr etj. si dhe me Komunën e Bujanocit, përkatësisht me kryetarin e komunës Nagip Arifi, të cilët pa hezitim e kanë përkrahur. Ai tha se në takimet e shpeshta që janë zhvilluar me komunën Bujanocit është parë se po qe se participohet nga komuniteti me 30 për qind, Komuna do të investojë mjetet e tjera dhe ajo rrugë do të asfaltohet.
Kjo ka qenë arsyeja që u formua një këshill për asfaltimin e rrugës që u quajt Fondi Humanitar për Malësinë e Bujanocit dhe me përkushtim të lartë filloi grumbullimi i mjeteve financiare. Tafili thotë se menjëherë pas hapjes së llogarive rrjedhëse, filluan të deponohen mjetet financiare nga bashkatdhetarët tanë pa hezitim nga të gjitha shtresat. Nga ata që janë duke punuar në diasporë, punëtorë administrativë, punëtorë krahu, pensionistë, e deri te ata që jetojnë edhe me ndihma sociale.
“Bashkatdhetarët tanë edhe njëherë treguan shpirtin humanitar, dashurinë ndaj vendlindjes së tyre dhe të parëve të tyre, ndaj varreve të baballarëve e gjyshërve të tyre e mbi të gjitha treguan atdhedashurinë. Treguan edhe interesimin e tyre për të zhvilluar biznese, tregtinë, zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë, prodhimin e patates, grumbullimin e qumështit e përpunimit të prodhimeve të qumështit dhe të ekonomive tjera”, tha Tafili, që sidomos ka lavdëruar Këshillin për Zvicër, me kryesuesin Hasan Sherifi, i cili është ndër këshillat më të angazhuar deri më tani, sikurse edhe humaniteti i madh i bashkatdhetarëve tanë që janë duke punuar në këtë shtet.
Mjetet financiare po vijnë edhe nga bashkëkombësit nga të gjitha trojet shqiptare, si nga Struga, Kumanova, Bujanoci, Prishtina, Gjilani me fshatra, si dhe nga shtete tjera si Bosnja.
“Banorët e Malësisë së Bujanocit i hapën kuletat dhe rruga për këtë anë shumë shpejt do të bëhet realitet”, ka thënë Ismet Tafili. /Titulli.com/