Medvegja pa zgjidhje, dështon seanca për të katërtën herë
Për shkak të mungesës së kuorumit, të enjten, sërish nuk është mbajtur seanca e 25-të me radhë e Kuvendit Komunal të Medvegjës e cila ishte ndërprerë për arsye të njëjtë me datën 20 dhe 27 mars, si dhe 3 prill.
Kjo seancë, që u shty për të katërtën herë me radhë, nuk po gjen zgjidhje dhe si duket po e fut edhe më në krizë vetëqeverisjen lokale në Medvegjë, respektivisht Kuvendin Komunal.
Seanca e 25 e Kuvendit Komunal të Medvegjës ishte ndërprerë më 20 mars, më pas në mungesë të kuorumit është shtyrë më 20, 27 mars, 3 prill dhe tani dështimi i fundit, më 9 prill.
Vazhdimi i mbledhjes do të tentohet edhe javën e ardhshme, të martën, 14 prill. Dështimet e seancës së këtij Kuvendi vijnë sidomos pas marrjes së drejtimit të komunës nga kryetari i ri, Dragisha Petroviq dhe janë një tregues se Medvegja po shkon drejtë krizës institucionale, e ndoshta edhe zgjedhjeve të parakohshme lokale.
Ndryshimet e fundit në drejtimin e komunës kanë shkaktuar pakënaqësi në mesin e këshilltarëve shqiptarë nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD).
Sië raporton Titulli, dy nga gjashtë këshilltarët shqiptarë vazhdojnë t’i bojkotojnë punimet që nga momenti që zëvendëskryetari i Kuvendit, Fehmi Beha, dha dorëheqjen, i pakënaqur me politikën e punësimit, marrjen në punë me kontrata të përkohshme, mos rregullimin e rrugëve në fshatrat shqiptare, etj.
Gjatë ditë së djeshme udhëheqësia më e lartë e PVD-së qëndroi në Medvegjë me qëllim gjetjen e një zgjidhje, mirëpo, edhe përskaj intervenimit të drejtuesve të këtij subjekti politik shqiptar, Medvegja si duket po shkon drejtë masave të përkohshme. /Titulli.com/