Në Zvicër nisë regjistrimi i filmit artistik me aktorë nga Lugina e Kosova (Foto)
Pas një pune të përkushtuar dhe ushtrimeve të shumta, të hënën në St. Gallen të Zvicrës kanë filluar xhirimet e para të filmit artistik të metrazhit të gjatë "Romanca e hidhur", me skenar dhe regji të regjisorit dhe aktorit tanimë të njohur shqiptar në Zvicër, Valton Jakupi.Filmi, përveç në Zvicër, do të gjirohet edhe në Gjermani e Kosovë. Në këtë projekt filmik janë angazhuar një numër i madh aktorësh, të cilët u përzgjodhën pas një pune të përkushtuar të regjisorit dhe stafit filmik.
Siç thuhet në njoftimin e “Internation Film Europe Swiss”, ky film trajton një temë tejet të ndjeshme nga jeta e përditshme e të rinjve kurbetçarë, të cilët jetojnë, mësojnë e punojnë sidomos në Zvicër.
“Besimi fetar shpesh bëhet pengesë e lidhjeve të të rinjve shqiptarë, duke ua pamundësuar realizimin e dashurisë mes tyre. Dy të rinj shqiptar në këtë film, të cilët u përkasin dy besimeve të ndryshme fetare, në realizimin e dashurisë së tyre hasin në pengesat dhe barierat e bindjeve të prapambetura mbi baza fetare”, thuhet në njoftim.
Rolin kryesor në këtë film, Gencin, e luan vetë regjisori Valton Jakupi, i cili është i dashuruar në një studente, Albanën, të cilën e luan aktorja Nadija Ukshini. Dashuria e këtyre të rinjve hasë në pengesat e zakoneve prapanike, mbi baza fetare. Por, në ndihmë u dalin të rinjtë përparimtarë, të cilët çështjen kombëtare e vejnë para çdo gjëje dhe ndihmojnë në tejkalimin e pengesave që u dalin dy të rinjve.
Filmi ngërthen edhe probleme tjera shoqërore të komunitetit shqiptar në Zvicër, ndër të cilat është edhe veprimtaria e organizuar e grupeve dhe bandave kriminale.
Njëkohësisht shpalosen dhe trajtohen edhe këtë dukuri tjera negative brenda komunitetit shqiptar në Zvicër.
“Banda udhëhiqet nga aktori Naski Abdixhiku në rolin e bosit të bandës, e cila jo vetëm kontrollon një qytet të tërë dhe bën krime të ndryshme, si tregtimi me lëndë narkonike, alkoholin, fajdet, vrasjet e fshehta, por përpiqet t‘i manipulojë edhe studentët për t‘i përfshirë në rrjete kriminale”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Regjistrimet deri në përfundimin e filmit, sipas realizuesve, mendohet të zgjasin mbi tre muaj, ndërsa premiera e filmit do të mbahet në kantonin St. Gallen në Zvicër si dhe në Luginë të Preshevës, respektivisht në Bujanoc, kurse filmi “Romanca e hidhur” pritet të shfaqet edhe në vende tjera të Evropës. /Agim Sylejmani / Titulli.com/