Nagip Taipi: Ne nuk po kërkojmë aleanca pushteti, po kërkojmë aleancë për lirinë e qytetarit
Lokale

Nagip Taipi: Ne nuk po kërkojmë aleanca pushteti, po kërkojmë aleancë për lirinë e qytetarit

22.Oct.2014 11:27
0
Grupi Qytetar "Nagip Taipi", listë kjo me nurmin 5, vazhdonë të jetë pjesë e fushatës parazgjedhore në Luginë të Preshevës, edhe pse jo me tubime, përmes mediave ka arritur të shpalosë programin për qytetarët shqiptarë që do të votojnë më 26 tetor për Këshill Kombëtar Shqiptar (KKSH).

Gjatë një interviste për portalin informativ Titulli.com, bartësi i listës, Nagip Taipi, tha se ky opsion i ri do ta ndryshojë qasjen duke mos qenë tallës dhe fyes “siç kanë bërë disa parti që nga themelimi i KKSH-së.

“Ne jemi opsioni i qytetarëve të heshtur, të cilët nuk i ngjajnë ultrashëve sportiv, siç janë militantët e partive politike. Ne jemi zëri i atyre pak qytetarëve sot, të cilët nesër do të përfaqësohen shumë zëshëm, bindshëm dhe suksesshëm”, u shpreh Nagip Taipi.

Ai matej shtoi se Grupi Qytetar “Nagip Taipi” nuk po kërkon koalicione e aleanca pushteti.

“Ne po kërkojmë një aleancë për lirinë e qytetarit, që ai të mos jetë më i kapur nga partitë”, nënvizon Taipi.

 

Titulli:  Zotri Nagip Taipi, ju jeni qytetari i parë, tani edhe si grup qytetar, që keni dalë zyrtarisht me vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet për KKSH, pse vendosët që të hyni në këtë garë?

Nagip Taipi:    Fillimisht ta kuptojmë një gjë elementare në demokraci: e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur është kategori kushtetuese e cila është norma themelore e një qytetari politikisht të emancipuar. Mandej kapja e qytetarit nga partitë politike është cytësi kryesor i pjesëmarrjes në këto zgjedhje, ngaqë kapja e qytetarit nga partitë politike, përmes joshjeve e premtimeve politiko-romantike ia lehtëson partive që zotërojnë pushtetin, ta kapin edhe çdo institucion i cili nga qëllimi e funksioni shërbyes që ka, shndërrohet në haraçexhi kushtëzimi e shantazhi që votuesi i djeshëm, prej një qytetari të lirë të bëhet poltron dhe pakurrizor. Ky është kërcënim ndaj lirive e të drejtave elementare që në demokraci e përdhosë çdo ndjenjë qytetarie dhe për pasojë autoritarizmi shtrinë shtat herë në emër të një patriotizmi demagogjik, duke keqpërdorur ndjenjat më fisnike të njerëzve që kanë në raport me vlerat e luftës dhe simbolet kombëtare, e herë në emër të një zhvillimi fiktiv ekonomik, që nuk është asgjë tjetër pos privilegje për grupe të caktuara militantësh partiak.

 

Titulli:  Çka do të ndryshoj Grupi Qytetar “Nagip Taipi” nëse bëhet pjesë e drejtimit me KKSH-në, për dallim nga koalicionet tjera mes partive politike shqiptare?

Nagip Taipi:   Do ta ndryshoj qasjen, perceptimin dhe pjesërisht edhe angazhimet e këtij institucioni qeveritar i cili dihet se është themeluar në bazë të standardeve të Këshillit të Evropës dhe të përmbushjes së të drejtave të pakicave nacionale, që e detyron Serbinë në rrugën e saj drejt integrimeve Evropiane.

Prandaj kur po flasim për qasjen, kjo nuk guxon të jetë tallëse dhe fyese siç kanë bërë disa parti që nga themelimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Duke kërkuar një trup nacional të "mirfillt", humbëm vite të tëra në debate shterpe e me plotë demagogji. Pra ata që nuk punuan në konstituimin e të gjitha organeve e mekanizmave që do të duhej t'i kishte Kuvendi i këshilltarëve shqiptar, po ata penguan edhe formimin e Këshillit nacional, edhe pse për mendimin tim, me një qasje më të arsyeshme që të dyja kanë mundur të jenë të kompletuara qysh gati një dekadë, duke i lënë hapësirën e nevojshme edhe njërës edhe tjetrës.

Sa i përket perceptimit ne mendojmë se Këshilli kombëtar nuk është vendi ideal ku zgjidhen të gjitha çështjet sa i përket të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ai i ka të përcaktuara edhe kompetencat edhe mundësitë ligjore, prandaj të thirresh se do ta jetësoj Referendumin apo se do t'i mbroj vlerat e luftës është një hipokrizi apo edhe një bartje kompetencash që do të duhej t'i kishte Kuvendi i këshilltarëve shqiptar, i cili çuditërisht tani ra nën hijen e joshjeve karrieriste dhe pagave për, siç po trumbetohet mbi 100 vende të punës.

Angazhimet tona do të jenë pikërisht në departizimin e Këshillit kombëtar, ngase meqë shumë qartë dhe striktë i ka të përcaktuara fushat e veprimit, atëhere nuk mbetet tjetër vetëm se të angazhohen njerëzit profesionist, punëtorë dhe meritorë. Pra, departizimi është kusht për profesionalizimin e këtij institucioni. E mira e këtyre zgjedhjeve është pjesëmarrja e të gjitha partive në këtë proces, ndërsa e keqja është se do ta kemi një Këshill i cili do të jetë gjithëpërfshirës vetëm për një gjë: gjithëpërfshirjen në këtë institucion e ngatërresave që kanë mes veti partitë politike shqiptare, duke e bërë Këshillin një arenë "përleshjesh" sikur Kuvendet komunale.

 

Titulli:  Sa po arrini të informoni opinionin me programin tuaj, duke ditë se grupi qytetarë i sapokrijuar nuk i ka fondet e subjekteve politike për të bërë fushatë?

Nagip Taipi:    Ne jemi një mjedis i vogël në të cilin edhe lajmet më banale qarkullojnë me shpejtësinë e dritës edhe pa pasur ndonjë medium të organizuar publik ose privat. Për pjesëmarrjen tonë në këtë garë nuk e di vetëm ai që kjo punë e jona nuk i pëlqen. Përveç asaj që ne po përpiqemi me mundësitë tona modeste të jemi sa më afër qytetarit për t'ia prezantuar programin tonë, e më së shumti parimet tona, i mbetet edhe qytetarëve të interesohen për opsione më dobiprurëse që po ofrohen në këtë fushat. Ne deri më tani përveç prezantimeve në Facebook, i cili sot është mediumi që më së shumti përcillet, krahasuar me radion, televizionin dhe gazetat, ne kemi pasur edhe dy prezantime; një në RTV Presheva, të cilët kanë rezervuar termine edhe për ne sikur edhe për çdo subjekt tjetër pjesëmarrës në këto zgjedhje dhe një prezentim në RTV Bujanoci ku kemi shpalosur idetë dhe konceptet tona programore. I gjithë defekti në shoqërinë tonë nuk është vetëm te mungesa e programeve zgjedhore, por para së gjithash është primitivizmi etik i cili për të arritur një qëllim, jo që nuk ndërton parime e vlera por i shkelë dhe i përdhosë edhe ato që në njëfarë mënyre kanë funksionuar kohë më parë.

 

Titulli:  Pasi keni marrë vendim që të merrni pjesë në këtë proces zgjedhor për Këshill Kombëtar të pakicës shqiptare në Serbi, si jeni pritë nga qytetarët?

Nagip Taipi:    Ne jemi opsioni i qytetarëve të heshtur, të cilët nuk i ngjajnë ultrashëve sportiv, siç janë militantët e partive politike. Ne jemi zëri i atyre pak qytetarëve sot, të cilët nesër do të përfaqësohen shumë zëshëm, bindshëm dhe suksesshëm. Ne nuk po kërkojmë koalicione e aleanca pushteti, ne po kërkojmë një aleancë për lirinë e qytetarit, që ai të mos jetë më i kapur nga partitë. Këshilli nacional, dhe jo vetëm ky, në një mjedis që ka përjetuar diskriminim njëshekullor më së paku duhet reflektuar pushtet e më së shumti shërbim dhe zhvillim që këtij qytetari të injoruar t'ia kthej dinjitetin e përdhosur edhe nga vet politika shqiptare.

 

Titulli:  Pse të dielën e 26 tetorit qytetarët shqiptarë të Luginës duhet të votojnë Grupin Qytetar “Nagip Taipi”?

Nagip Taipi:    Procesi zgjedhor për dy dekada është shpërfytyruar duke u abuzuar me të deri në apsurditet. Ne ende nuk po e jetësojmë parimin demokratik një qytetar një votë. Por shumë vota për një lider, e tani shumë parti për një lider të nominuar.

Secili qytetar me daljen masive në këto zgjedhje mbron votën e tij dhe eliminon çdo mundësi abuzimi me votën e tij. Prandaj qytetarët i lus ta rikthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur nga politika të tekave dhe lokalizmave të ndryshkura./Titulli.com/

 

Reagon PD, i griset materiali propagandues
Reagim i Shtabit zgjedhor të Koalicionit për të Drejtat e Shqiptarëve (PVD "“ UDSH)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration