Lokale
PVD po shkruan historinë, për herë të parë fiton dy mandate
Është hera e parë që një subjekt politik shqiptar nga Lugina e Preshevës e vetme arrin të fitojë dy mandate në Parlamentin e Serbisë.
Sipas rezultateve të fundit të Komisionit Republikan Zgjedhor (KRZ) të dalë në orën 12h, nga 99.4 % e materialit të përpunuar nga ky Komision, Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka arrit të mbajë 2 mandate të deputetit, me 0.68 % të votave të elektoratit.
Në një prononcim për portalin informativ Titulli, kandidati i dytë që do të përfaqësojë shqiptarët e Luginës në këtë Kuvend, Shaip Kamberi, tha se kjo është hera e parë që subjekti i tij politik e vetme arrin të fitojë dy mandate.
“Me materialin që është përpunuar deri më tani PVD-së i takojnë dy mandate, derisa mbetet të shihet edhe përpunimi i pjesës tjetër të materialit zgjedhor”, u shpreh Kamberi.
Ai theksoi se kjo është hera e parë që partia e tij është afër sigurimit të dy mandateve edhe atë vet pa ndihmën e subjekteve tjera shqiptare të Luginës.
“Jemi të kënaqur me këtë rezultat që kemi arrit, është hera e parë që PVD vetë ka arrit ti fitojë dy mandate. Dy mandate shqiptarët i kanë pas vetëm në periudhën para viteve 2000 në bashkëveprim me PDSH-në, ndërsa tani është hera e parë që PVD ka vetë dy mandate dhe normal që është një sukses”, i tha Titullit, Shaip Kamberi.
Vlen theksuar se në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën më 16 mars, sipas KRZ për listën e këtij subjekti politik shqiptar kanë votuar 24.274 qytetarë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!