Si ka ndryshuar sundimi mbi Krimenë ndër shekuj Ushtarë rusë në gadishullin e Krimesë, më 5 mars 2014.
Rajoni dhe Politika

Si ka ndryshuar sundimi mbi Krimenë ndër shekuj

20.Aug.2025 08:14
0

Udhëheqësi i ndjerë i opozitës ruse, Aleksei Navalny, ka thënë dikur se gadishulli ukrainas i Krimesë, i cili është nën kontrollin rus që nga viti 2014, nuk është “një sanduiç me proshutë” për t’u shpërndarë.

Fati i tij - në kohën kur po zhvillohet një diplomaci intensive për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës - është sërish i pasigurt.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pas takimit që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin, më 15 gusht në Alaskë, ka thënë se për Ukrainën “nuk ka rikthim” të Krimesë.

Moska këmbëngul, po ashtu, se statusi i këtij gadishulli është çështje e mbyllur dhe kërkon njohjen e aneksimit të tij, ndonëse referendumi i mbajtur në vitin 2014 është cilësuar nga komuniteti ndërkombëtar si i rremë dhe i pavlefshëm.

Historikisht, kontrolli mbi këtë gadishull ka ndryshuar disa herë gjatë dy shekujve të fundit.

 

Perandoria Ruse e ka aneksuar zyrtarisht Hanatin e Krimesë në vitin 1783, gjatë sundimit të Katerinës së Madhe.

Kur Perandoria Ruse është shembur në vitin 1917, është shpallur Republika e Popullit të Krimesë, por ajo është rrëzuar shpejt nga forcat e Flotës së Detit të Zi të Rusisë, të kontrolluara kryesisht nga bolshevikët.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Luftës Civile Ruse dhe Luftës për Pavarësinë e Ukrainës, Krimeja ka ndryshuar kontroll disa herë: e kanë kapur forcat aleate nga Franca dhe Greqia dhe ushtria e kuqe dhe e bardhë ruse, derisa është pushtuar nga bolshevikët në nëntor të vitit 1920.

Pas pushtimit gjerman, Krimeja ka mbetur pjesë e Rusisë brenda Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1954, kur Nikita Khrushchev e ka transferuar atë te Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe referendumet

E banuar kryesisht nga rusët etnikë, Krimeja ka mbetur pjesë e Ukrainës kur ajo ka fituar pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, pas shpërbërjes në vitin 1991.

Në referendumin për pavarësinë e Ukrainës në dhjetor të vitit 1991, pak më shumë se gjysma e banorëve të Krimesë kanë votuar për pavarësinë e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik: 54% në të gjithë rajonin dhe 57% në qytetin e administruar veçmas të Sevastopolit.

Në vitin 1994, shumica e banorëve të Krimesë kanë votuar për t’i dhënë gadishullit më shumë autonomi brenda Ukrainës dhe për t’i lejuar banorët të kishin dy shtetësi: ruse dhe ukrainase.

Por, këto masa nuk janë zbatuar, pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit të Ukrainës ka shfuqizuar Kushtetutën e Krimesë dhe pozicionin e presidentit të Krimesë, duke hartuar një kushtetutë të re në vitin 1999.

 

Si pjesë e Ukrainës, Krimeja ka vazhduar të jetë bazë e Flotës Ruse të Detit të Zi, me seli në Sevastopol, dhe Rusia i ka shfrytëzuar me qira objektet e saj.

Sipas marrëveshjes së qirasë, Rusia është zotuar se “do të respektojë sovranitetin e Ukrainës, do të zbatojë ligjet e saj dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Ukrainës”.

Pavarësisht kësaj, trupat e flotës kanë luajtur një rol kyç në marrjen nën kontroll të gadishullit të Krimesë në shkurt të vitit 2014.

Pas kësaj, Rusia ka organizuar një referendum, të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka cilësuar si të paligjshëm.

Rusia ka shpallur aneksimin formal të gadishullit në mars të vitit 2014, duke shkaktuar kështu dënime dhe sanksione ndërkombëtare.

Që nga aneksimi, Rusia ka këmbëngulur se statusi i Krimesë nuk është në diskutim. Së voni është raportuar se Putin i ka thënë Trumpit se marrëveshja e paqes për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës, do të varej, mes tjerash, edhe nga njohja e këtij aneksimi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se Ukraina nuk do ta njohë ligjërisht kontrollin rus mbi gadishullin dhe se Kushtetuta e vendit e lejon dhënien e territorit vetëm përmes një referendumi kombëtar.

 

Trump ka thënë më herët se “askush nuk i kërkon Zelenskyt ta njohë Krimenë si territor rus”.

Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, mund të bëhen vendi i parë perëndimor - dhe me gjasë i vetmi në të ardhmen e afërt - që do ta njohin, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Disa burime kanë thënë se administrata aktuale e Trumpit mund të jetë e hapur për këtë hap, ndërsa vetë Trump ka thënë gjatë mandatit të tij të parë - para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia - se nuk do ta përjashtonte këtë opsion.

Përgatiti: Valona Tela-REL
Pas 40 vitesh Microsoft ndryshon pamjen e Ekranit Blu të Vdekjes në Windows
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration