APN nominon 2 kandidatë për deputet në zgjedhjet parlamentare
Kryesia e Alternativës për Ndryshim në mbledhjen e mbajtur në Preshevë ka caktuar kandidatët për deputet në listën e përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 21 qershor.
“Pas konkursit intern pas 3 kandidaturave para gjendjes së jashtëzakonshme që është mbajtur në kryesinë e partisë, në mbledhjen e sontme në mungesë të dy kandidatëve të tjerë, me shumicë votash Argjend Bajrami dhe Dëshira Kamberi janë votuar si kandidatët nga ana e Alternativës për Ndryshim për deputet në listën e përbashkët Alternativa Demokratike Shqiptare”, thuhet në njoftimin e Alternativës për Ndryshim.
Deri më tani APN është subjekti politik i tretë shqiptarë që ka nominuar kandidatët për listën e përbashkët shqiptare mirëpo akoma subjektet pjesëmarrëse nuk janë takuar për detajet e përgatitjes së listës dhe mbledhjes së nënshkrimeve.
Në Tiranë më 16 janar të vitit 2020 mes subjekteve politike në Luginë të Preshevës dhe me mbështetje të ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj është nënshkruar marrëveshja për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë./Titulli.com/