Koment: Në rast se Komuna e Bujanocit do t’i blejë automjet policisë, çfarë të keqe ka?
Nëse Komuna e Bujanocit me paratë e dërguara nga Kosova do të blejë automjet për policinë dhe autoambulancë për Shtëpinë e Shëndetit, atëherë çka do të përfitojnë shqiptarët në Medvegjë nga 100 mijë eurot e dërguara, po nga Kosova?
Në mes të pandemisë CoVid-19, Qeveria e Kosovës ia dedikoi një shumë të madhe parash me vlerë prej 500 mijë eurosh qyteteve në jug të Serbisë, apo Luginës së Preshevës.
Ndarja e këtyre mjeteve, duket se u bë sipas qyteteve, të cilat kanë shumicën banorëve shqiptarë. Komuna e Preshevës e cila udhëhiqet gati se në tërësi nga shqiptarët, përfitoi 200 mijë euro, gjithashtu Komuna e Bujanocit e cila shquhet për multietnicitet mori 200 mijë euro, ndërsa Komuna e Medvegjës e cila në zgjedhjet e fundit të 8 shtatorit të vitit të kaluar u transferua në komunë serbe, përfitoi 100 mijë euro.
Në Medvegjë, institucionet publike, pas zgjedhjeve të kaluara, gati se në tërësi udhëhiqet nga serbët lokalë, meqë shqiptarët atje nuk arritën dot unitet ndërmjet vete për të fituar më shumë asambleistë, duke mbetur me tre këshilltarë në opozitë.
Së fundmi, në Komunën e Bujanocit, shqiptarët janë hutuar nga shpërndarja e këtij donacioni. Ky konfuzitet vjen si pasojë e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, që do mbahen, më 21 qershor, të këtij viti, në Serbi, në nivelin lokal në Bujanoc dhe në atë qendror në tre komunat e Luginës së Preshevës.
Partitë politike, të cilat janë të liruara nga zgjedhjet lokale në Preshevë dhe Medvegjë, kanë gjetur hapësirë për të kritikuar pushtetin lokal në Bujanoc, së pari duke akuzuar ndarjen kinse jo parimor të donacionit nga Kosova, së dyti ngase partia udhëheqëse në Preshevë përmes Degës së saj garon në zgjedhjet lokale në Bujanoc dhe së treti për ta bllokuar Listën e unitetit për zgjedhjet parlamentare.
Ky ngërç politik, aspak nuk është në favor të shqiptarëve në tërësi, për shkak se muaj më parë është arritur uniteti mes partive shqiptare e inicuar nga Qeveria e Shqipërisë, për të garuar në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare.
Nga këto obstruksione dhe shantazhe politike, vërehen lehtë nga akuzat në mes partive rivale, që qeverisin Bujanocin dhe Preshevën, të cilat çojnë drejt një përçarje të padëshirueshme dhe të pafavorshme kundrejt tërë popullit shqiptar në Serbi. Dihet një gjë, por nuk flitet shpesh, se secila parti do ta akuzonte atë që është në pushtet, për mjetet e ndara nga Kosova, por edhe nga Shqipëria. Por, në këtë rast akuzat që vijnë nga Presheva kundrejt Bujanocit, e që kanë shpëlarë trurin e disa banorëve edhe këtu, janë të atilla që për shumë arsye s’duhet marrë parasysh.
Bujanoci, shquhet për komunë multietnike, paratë e dërguara nga Kosova, janë bartë në konton e Komunës, që do të thotë se ato mjete duhet të ndahen për të tri nacionalitetet: për shqiptarët, serbët dhe romët. Komuna e Bujanocit, gjithashtu, nga këto mjete publikisht ka ndarë 6 milion dinarë (50 mijë euro) për blerjen e një autoambulance me të gjitha pajisjet e nevojshme për Shtëpinë e Shëndetit. Kjo e fundit që nga 2012-ta nuk udhëhiqet nga shqiptarët, por nga serbët, mirëpo stafi mjekësor është i polarizuar dhe secila ambulantë në fshatrat e Bujanocit është degë e kësaj Shtëpie. Në përgjithësi është institucion multietnik, si tërë institucionet tjera në këtë komunë.
Nga Presheva vijnë lajme se nga këto mjete në Bujanoc do të blihet edhe një automjet për policinë. Do ta marrim parasysh edhe këtë. Policia në Komunën e Bujanocit njëkohësisht është multietnike, sikurse edhe e Preshevës. Në rast se Komuna e Bujanocit do t’i blejë një automjet këtij institucioni, atëherë çfarë të keqe ka?
Të dyja këto institucione kanë qenë më të prekurat nga pandemia CoVid-19, jo vetëm tek ne, por në tërë botën, duke qenë në shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim feje e nacionaliteti. Atëherë çfarë të keqe ka po nëse do t’i blihen automjete të dyjave?
Mbi këto diskutime normalisht ngjallet edhe kërkesa se këto duhet të blihen nga Qeveria e Serbisë e jo nga paratë e Kosovës, mirëpo pas fondit të Kosovës e cila u dhurua për Luginën e Preshevës, menjëherë Qeveria e Serbisë ka zbritur për 20 për qind fondin e Trupit Koordinues për rrethin e Pçinjit. Megjithatë, nëse nuk e ka bërë për fajin e kësaj, nuk mund t'ia lëmë edhe për shumë vite tjera nën obligim asaj për të na blerë apo dhënë donacione, kur e shohim se nuk po na jep.
Inatet politike, që po ngjallin debatet e shumta ndërmjet spektrit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, po dëmtojnë dukshëm procesin e një uniteti për zgjedhjet parlamentare. Pos takimit me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë Gent Cakajn, nuk është realizuar asnjë takim tjetër publik më pas, për të diskutuar rreth procesit për zgjedhjet parlamentare.
Qëndrimet e tilla, se kush kujt i bleu makinë, e pse ai nuk po e publikon listën e ndarjeve të mjeteve, me shumë inat përbrenda vetes, mbulojnë në fshehtësi shpëlarjen e parave nga donacioni i Qeverisë së Kosovës, në Medvegjë. Kur dihet tashmë se komunën dhe gati se të gjitha institucionet publike i udhëheqin vetëm serbët.
Se a përfituan nga ky donacion shqiptarët në Medvegjë, apo a do të kenë qasje direkte në këtë donacion, askujt nuk i intereson në Bujanoc e Preshevë, meqë atje nuk do të zhvillohen zgjedhjet lokale?!
Ndaj, të gjitha zhvillimet politike do të fokusohen në betejën për fitoren e pushtetit lokal në Bujanoc, duke përdorur të gjitha mënyrat dhe metodat, të cilat mund t'i çojnë shqiptarët në një qorr sokak, ashtu siç quhej dikur "Fitorja e Pirros!".
Ky koment është shkruar nga Driton Hyseni- Bujanoc