A po shkon Medvegja drejt zgjedhjeve të parakohshme lokale?
Për shkak të mungesës së kuorumit, të premten sërish nuk është mbajtur seanca e 25-të me radhë e Kuvendit Komunal të Medvegjës e cila ishte ndërprerë për arsye të njëjtë me datën 20 dhe 27 mars.
Kjo seancë, që u shty për të tretën herë me radhë, nuk po gjen zgjidhje dhe si duket po e fut edhe më në krizë vetëqeverisjen lokale në Medvegjë, respektivisht Kuvendin Komunal.
Seanca e 25 e Kuvendit Komunal të Medvegjës ishte ndërprerë më 20 mars, më pas në mungesë të kuorumit është shtyrë më 20 mars, 27 mars dhe tani dështimi i fundit, të premten më 3 prill.
Në vazhdimin e kësaj seance ishte paraparë verifikimi i mandateve të këshilltarëve komunal, propozimi i vendimit për emërimin e avokatit publik të komunës, propozimi i vendimit për angazhimin e auditorit për auditim të jashtëm të buxhetit për vitin 2014, propozimi për emërimin e komandantit të Shtabit për situata të jashtëzakonshme etj.
Vazhdimi i mbledhjes do të tentohet edhe javën e ardhshme, më 9 prill. Dështimet e seancës së këtij Kuvendi vijnë sidomos pas marrjes së drejtimit të komunës nga kryetari i ri, Dragisha Petroviq dhe janë një tregues se Medvegja po shkon drejtë krizës institucionale, e ndoshta edhe zgjedhjeve të parakohshme lokale.
Titulli.com raportoi për dorëheqjen e zëvendëskryetarit të Kuvendit, Fehmi Beha. Ish zëvendëskryetari dorëheqjen e kishte arsyetuar me punësimin e shumë personave nga një familje, ndërsa shumë të tjerë janë në kufi të ekzistencës.
Sipas Behës, situata ka shkuar më keq nga mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal ku u arrit një konsensus me zgjedhjen e kryetari të ri, që si qëllim kishte dhënien fund dukurive të tilla, mirëpo ai thekson se tani situata është më e rëndë se më parë dhe pa asnjë shpresë se diçka do të përmirësohet. /Titulli.com/