Zyrtarizohen përfaqësuesit e partisë republikane në Bujanoc dhe Preshevë
Për dy ditë rresht, zyrtarët e lartë të Partisë Republikane, me seli në Sentë të Vojvodinës, qëndruan për një vizitë me karakter pune, në degët e saj në Bujanoc dhe Preshevë. Gjatë kësaj vizite, ata patën rastin të njihen për së afërmi me problemet me të cilat po përballet komuniteti shqiptar në Serbi, e posaçërisht në rajonin e Luginës së Preshevës, thuhet në kumtesën e lëshuar nga PR në Bujanoc.Sipas këtij njoftimi Nikolla Eriq, drejtor politik i Partisë Republikane nga Beogradi, i njoftoi përfaqësuesit e kësaj partie Avdil Ramadani (Bujanoc) dhe Driton Ajeti (Preshevë) për objektivat partisë dhe misionin e saj për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohen pakicat kombëtare në Serbi, e me theks të veçantë të shqiptarëve si komunitet.
Një nga problemet parësore, që u shtruan gjatë kësaj vizite dyditore ishte shlyerja e shqiptarëve nga evidenca civile si dhe niveli i lartë i papunësisë dhe moszhvillimit ekonomik në këtë rajon.
“Zyrtarët e kësaj partie nga Beogradi u zotuan se këto probleme do të shtrohen në selinë e partisë dhe do të merren masa për tejkalimin e tyre. Gjithashtu, gjatë këtij takimi, u bisedua për mundësinë e realizimit të pilot-projekteve në fushën e bujqësisë, në mënyrë që të krijohen standarde për një jetë më të mirë nga këto hapësira. Republikanët për t’i kundërshtuar dukuritë diskriminuese ndaj pakicave do të reagojnë si parti nga Senta e deri në Preshevë”, thuhet mes tjerash në këtë komunikatë.
Në fund, Nikolla Eriq, drejtor politik i Partisë Republikane e bëri publike zyrtarizimin e nënkryetarit të kësaj partie, Avdil Ramadanit, i cili do të jetë njeriu i dytë pas kryetarit Nikolla Sandulloviq në nivel republike, njofton shërbimi për informim i degës së Partisë Republikane, në Bujanoc. /Titulli.com/