Lokale
Zjarre edhe në Bilaç, dyshohet për zjarrvënie (audio)
Pas lokalizimit të zjarreve në afërsi të liqeni të Bujanocit, zjarret sot kanë shpërthyer edhe në fshatin Bilaç të komunës së Bujanocit.
Pas raportimit të qytetarëve në redaksinë e Titullit se zjarre të mëdha janë afruar në fshatin Bilaç, gazetarët tanë kontaktuan zjarrfikësit si dhe Shtabin e Emergjencës pranë komunës së Bujanocit të cilët konfirmuan se bëhet fjalë për zjarre të mëdha të cilët rreth orës 18:30 janë vënë nën kontroll.
Ali Asllani nga Shtabi i Emergjencës, prej vendit të ngjarjes, i tha Titullit se flakët ishin shumë të mëdha dhe kanë përfshirë një sipërfaqe prej 100 hektarësh të malit të Bilaçit, i cili është shtrirë edhe në drejtim të fshatit Bratosellc dhe Negoc.
Për të shuar këto male me pisha, zjarrfikësve nga Bujanoci në ndihmë i erdhën edhe kolegët nga Presheva dhe Vranja, ndërsa nuk ka munguar as ndihma e banorëve.
Asllani tha se zjarri tani është nën kontroll, mirëpo ka dyshime të forta se këto zjarre janë shkaktuar me qëllim nga persona të caktuar.
“Ne kemi ftuar policinë si dhe inspektorët për të kapur ata qytetarë që ndezën këto zjarre, pasi brenda gjysmë ore kemi arritur ti identifikojmë mbi nëntë zjarre në lokacione të ndryshme”, tha mes tjerash Asllani.
Për të parë nga afër situatën, në vend të ngjarjes ishin edhe kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi si dhe i Kuvendit Hajredin Hyda.
Një zjarr i ngjashëm para tri ditëve u përhap edhe në malet mbi liqenin e Bujanocit, për të cilën u deshën tre ditë që zjarri të lokalizohet./Titulli.com/
http://youtu.be/ig9EjTVqafU
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!