Zgjedhjet në Luginë të Preshevës
Lokale

Zgjedhjet në Luginë të Preshevës

27.Apr.2016 10:30
0
Në vend të hyrjes- Mendoj se zgjedhjet e këtij viti në Serbi e rrjedhimisht edhe në Luginë të Preshevës mund të karakterizohen me disa momente kyçe që e shënuan këtë proces zgjedhor që pati risitë e veta kualitative por edhe qasjen tani më tradicionale nga disa subjekte dhe faktor politik. Këto zgjedhje njëherësh shënojnë (apo duhet të shënojnë) pensionimin e disa politikanëve veteranë që në skenë janë të pranishëm që nga fillet e sistemit shumë partiak në Luginë. Këtu mendoj në Riza Halimin, Ragmi Mustafën, Jonuz Musliun dhe Nagip Arifin dhe disa të tjerë me qëllim krijimin kushteve për kyçjen e të rinjve të cilët gjithsesi do ta shpijnë përpara procesin politik në Luginë. Pra ky proces zgjedhor mund të karakterizohet me 3-4 momente kryesore

Së pari: duke ndjekur traditën e pjesëmarrjes në zgjedhje, që nga Korriku i vitit 1990 kur për herë të parë u vendos pluralizmi politik në Serbi dhe me formimin e partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës, shqiptarët vazhdimisht marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe pjesërisht ato parlamentare, duke u përfaqësuar në parlamentin republikan dhe vazhdimisht duke qeverisur me komunat me shumicë shqiptare, Preshevë e pas luftës së UÇPMB-së edhe me Bujanocin, si dhe në Medvegjë si pjesë e koalicionit me partitë serbe. Gjatë tërë këtyre viteve elektoratit ju ofruan lloj lloj opsione, premtime dhe parti të ndryshme me orientime të ndryshme programore varësisht se në çfarë rrethanash mbaheshin zgjedhjet.

Edhe zgjedhjet e vitit 2016 si ato lokale dhe ato parlamentare serbe patën jehonën e vet edhe në trojet shqiptare në Luginë të Preshevës. Për herë të parë zgjedhjet kaluan në atmosferë të vërtetë zgjedhore, me premtime, lëvdata, vet-lëvdata si dhe kritika e sidomos fyerje të ndërsjella të faktorit politik shqiptar atje, duke u akuzuar në mes tjerash edhe për tradhti kombëtare, hajni e çka jo tjetër. Edhe në këtë vit në zgjedhjet parlamentare serbe mori pjesë vetëm një Parti-Partia për Veprim Demokratik –PVD e Riza Halimit ndërsa partitë tjera i bojkotuan me pretekstin se nuk e njohim Serbinë si shtet duke rënë në kundërshtim me vetveten sepse kur njeriu i lexon dhe dëgjon këto “argumente” krijon përshtypjen se zgjedhjet lokale në Luginë nuk organizohen nga Qeveria e Beogradit por nga ndonjë institucion paralel tjetër! Kujtojmë se përkundër refuzimit që të “njohin” Serbinë si shtet këta politikanë nuk i refuzojnë pagat dhe mëditjet si dhe benefitet e ndryshme për udhëtime dhe makina nga shteti të cilin nuk e “njohin”, si dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet për Këshillin Nacional i cili është formuar sipas ligjeve në fuqi të shtetit serb.  

Së dyti: sikur se çdo proces zgjedhor edhe ky i vitit 2016 kishte risitë e veta, në rend të parë mendoj se freskia kryesore ishte kandidimi i një femre për pozitën e Kryetarit të Komunës së Preshevës, respektivisht znj.Ardita Sinani nga PVD-ja, ( duke shpresuar që tash e tutje z.Riza Halimi do të jetë më shumë një këshilltar se sa bartës i ndonjë funksioni), si dhe një subjekt i ri i formuar disa muaj më parë Alternativa për Ndryshim- APN, e cila “befasisht” u radhit e dyta. Këto dy risi sikur përçojnë mesazhin e votuesve shqiptar se ata janë lodhur nga mënyra e vjetër e udhëheqjes dhe e të  menduarit, dhe se ka ardhur koha e ndryshimit të udhëheqjes e sidomos e mentalitetit politik që nënkupton lënien anash të grindjeve të kota mes vete dhe orientimin drejt zgjidhjes së problemeve të shumta që janë në Luginë duke shënuar kështu edhe humbjen e shumicës për kryetarin aktual Ragmi Mustafa( i cili për dallim nga Riza Halimi i cili promovoi Ardita Sinanin, mendon se akoma është i pazëvendësueshëm duke mos sjellur freskime në parti) dhe partinë e tij Partia Demokratike Shqiptare-PDSH. Kjo dëshmohet me faktin se edhe znj.Ardita Sinani edhe kryetari i APN-së z.Shqipërim Arifi, janë relativisht të rinj në moshë dhe qasja e tyre në këtë fushatë ishte krejtësisht ndryshe me mënyrën tradicionale të zgjedhjeve në Luginë.

Së treti: risia e tretë por shumë e rëndësishme ishte humbja e Nagip Arifit dhe partisë së tij Partia Demokratike – PD nga koalicioni që udhëhiqet nga PVD-ja në krye me Deputetin Shaip Kamberi. Nga vëzhgues të ndryshëm kjo humbje u shpjegua edhe me vetëbesimin e tepruar të kryetarit aktual të komunës z.Nagip Arifi apo megalomania e tepruar se nuk ka tjetër alternativë për udhëheqjen e Bujanocit përveç tij dhe partisë së tij. Ndoshta ishte vendimtar edhe fakti se edhe në PVD-në e Bujanocit ndodhi një freskim me kandidimin e Fatmir Hasanit për deputet që si duket pati  ndikim vendimtar edhe te votuesit në Bujanoc. Kjo fitore ka peshë të madhe për PVD-në, sepse e bën ate partinë e vetme me shtrirje në tërë gjeografinë e Luginës së Preshevës përkundër partive tjera të cilat kanë karakter lokal.

Së katërti: sa i përket jehonës së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, përveç angazhimit të zellshëm që çdo gjë të shkojë mirë në veri të Kosovës dhe në enklavat e tjera serbe, sa i përket çështjes shqiptare Qeveria e Kosovës as nuk deshi të dëgjojë dhe sikur mos të ishte emisioni  “Jeta në Kosovë” emituar në RTK,  si dhe ndonjë mysafir nga politikanët shqiptar në Interaktiv në KTV,qytetarët e Kosovës  as nuk do të kuptonin që në Luginë të Preshevës mbahen zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare. Në vend se të angazhoheshin për organizimin e faktorit politik shqiptar ashtu siç Serbia bën me serbët lokal, qeveritarët nga Kosova zgjodhën rrugën e injorimit duke u fokusuar më shumë te votimi i serbëve lokal se sa për shqiptarët në Luginë. Duke parë të njëjtin qëndrim edhe nga Tirana atëherë me të drejtë konstatojmë se shqiptarët e Luginës janë lënë në mëshirë të fatit dhe Beogradit i cili gradualisht po e realizon qëllimin e vet për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.

Shkruar nga: Dr.Sci.Veton Zejnullahi

 

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI

Fundi i "plaçkitjes patriotike" të mafisë së "biznespolitikës" shqiptare në Luginë të Preshevës?
Integrimi i i shqiptarëve i lidhur ngushtë me Qeverinë në Beograd, Bujanoci urë lidhëse (video&foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration