Xhamia e Zarbicës ju pret dyer hapur për faljen e Fitër Bajramit (Foto)
Banorët e fshatrave të Malësisë Bujanocit (Zarbicë, Priboc, Ramabuqë, Novosellë e Suharrën) këtë vit do ta bëjnë faljen e namazit të Fitër Bajramit në xhaminë e Zarbicës.Fshatrat e Malësisë së Bujanocit: Zarbicë, Priboc, Ramabuqë, Novosellë e Suharrën në fundin e qershorit të vitit 1999, pothuajse u zbrazën tërësisht.
Megjithatë, ata asnjëherë nuk i harruan vendlindjet dhe faltoret e veta, siç është xhamia e Zarbicës.
Pas rikonstruimit të saj, Këshilli i xhamisë së Zarbicës dhe Këshilli i fshatit Priboc, njofton se këtë vit (17 korrik 2015), Fitër Bajrami do të falet në xhaminë e Zarbicës.
“Të nderuar bashkatdhetarë, për nder të festës së fiter Bajramit, për nder të varreve të gjyshërve e baballarëve tanë, Këshilli i xhamisë së Zarbicës në bashkëpunim me Këshillin e fshatit Priboc dhe me hoxhën e Malësisë, Mefail Ramadani organizojnë faljen e namazit të fitër Bajramit në Xhaminë e Zarbicës. Falja e namazit të fiter Bajramit bëhet, më 17.07.2015 (e premte) duke filluar nga ora 05:48 minuta. Pra, të gjithë të interesuarit, këtë ditë të madhe, këtë festë të shënuar myslimane do të kenë rastin ta falin në xhaminë e Zarbicës”, thuhet në njoftimin e Këshillave, të cilin e transmeton Titulli.com.
Ardhja deri në Zarbicë, sipas organizatorëve bëhet në formë të pavarur me automjete individuale e forma tjera, ashtu siç dinë e munden secili qytetarë.
“Falja e namazit të këtij bajrami në xhaminë e Zarbicës, do të tregojë edhe njëherë se, banorët e fshatrave të lartpërmendura, faltoret e veta nuk i kanë harruar, nuk i kanë braktisur e nuk do t’i harrojnë e braktisin edhe në të ardhmen. Duke e fal namazin e Bajramit do të kujtojmë kohët e shkuara kur këto fshatra ishin plot me banorë, kur kjo xhami mbushej e nuk i zinte besimtarët e vet, do të kujtojmë varret e të parëve tonë, sakrificën e të parëve tonë, përkushtimin ndaj vendlindjes, atdheut e besimit”, thuhet në njoftim.
Historiku rreth xhamisë së Zarbicës
Shqiptarët e fshatrave të Malësisë së Bujanocit, në secilën periudhë historike, në këto treva ndërtuan, ruajtën dhe nuk i braktisën për asnjë çast objektet fetare duke ua përcjell këtë kulturë edhe brezave të reja.
Në vazhdën e kësaj, shqiptarët e fshatrave: Zarbicë, Priboc, Ramabuqë, Novosellë e Suharrën treguan kujdes të veçantë në ruajtjen e xhamisë së Zarbicës, në të cilin me dekada, kryen ritet myslimane.
Xhamia në fshatin Zarbicë u ndërtua në vitin 1904, ndërsa katër vite më vonë përkatësisht, më 1908 u ndërtua edhe Mejtepi, në të cilin u zhvillua mësim besimi i fesë islame. Pas luftës së Dytë Botërore në objektin e Mejtepit u zhvillua mësimi në gjuhën shqipe.
Xhamisë së Zarbicës, që prej ndërtimit të saj, përveç disa ndërprerje të vogla gjatë kohës së luftës së UÇPMB-së dhe forcave ushtarake -policore serbe dhe pak viteve pas përfundimit të kësaj lufte, asnjëherë nuk iu mbyllën dyert.
Përkujdesje të dalluar për mos mbylljen e xhamisë së këtyre fshatrave, pas vitit 1999, tregoi hoxha i Malësisë, Mefail Ramadani, i cili me punë e vullnet, përkundër vështirësive të shumta edhe gjeografike edhe financiare, mbajti të hapur këtë faltore.
Ai me përkushtimin ndaj Allahut, ndaj kësaj faltore dhe e banorëve të këtyre fshatrave, posaçërisht të atyre banorëve që janë duke jetuar në këto fshatra, çdo të premte zhvilloi ceremonitë fetare në këtë xhami.
Po ashtu donatorë si familja Sefedini, Bashkësia Islame, Komuna e Bujanocit dhe populli i kësaj ane me vet kontribute (mjete financiare e punë vullnetare), ndihmuan në rinovonim dhe mirëmbajtjen e xhamisë. Dhe sot ajo është në gjendje shumë të mirë. /Ismet Tafili/Titulli.com/