Walker: Është gabim i madh të bëhet Asociacioni, s’po mund ta kuptoj Kurtin pse dëshiron ta nënshkruajë atë marrëveshje
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e ka quajtur gabim të madh nëse Kosova do ta nënshkruajë marrëveshjen e propozimit evropian.
Walker thotë se do të ishte “tejet kritik” nëse Kosova nënshkruan themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe brenda një marrëveshje e cila edhe ashtu nuk përmban njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi.
Mes tjerash, ai është kritik edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar që po e shtynë para pikërisht çështjen e Asociacionit.
“Kjo çështja e Asociacionit të komunitetit serb ose diçka e ngjashme për mua është njëfarë prishëse e marrëveshjes (deal-breaker). Do të isha tejet kritik nëse Kosova e nënshkruan atë. Mendoj se kjo është gabim i madh. Edhe për BE-në që e shtynë e para këtë. Për mua është diçka që ska kurrfarë kuptimi, që të jepen të drejta edhe më speciale një komuniteti pakicë, e cila tashmë edhe ka më shumë se një hise në të drejtat e pakicave, më shumë se në cilindo vend në Evropë që unë e di, e gati edhe në botë”, tha William Walker për Insajderin.
“Unë s’kam pasur rastin të flas me Escobarin ose me dikë nga qeveria amerikane rreth kësaj, nuk e di se çfarë ka prapa saj, që të jenë në favor të kësaj, sepse siç thash, unë personalisht këtë e shoh si gabim të përfshihet diçka e tillë. Por, e di që po shtyhet para, ndaj Kosovës, ndaj qeverisë së Kurtit, që të pranojnë këtë, dhe po them se do të ishte gabim që të bënte këtë”, tha ish-ambasadori.
Në vërejtjen e Insajderit se në fakt është vetë kryeministri kosovar ai i cili ka qenë “më i eturi” që kësaj marrëveshje t’i vendoset firma e të kalojë në një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët, Walker shprehet se s’e kupton qëndrimin e tij.
“Nuk jam i sigurt që e kuptoj Albini kur thotë se unë e nënshkruaj kështu siç është, ose dëshiron që ta nënshkruajë. Nëse aty nuk ka njohje, unë e shoh gabim që ai ta nënshkruaj”, përfundoi ai.