Vuçiqi prezanton sot në Kuvend raportin për bisedimet me Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të prezantojë sot para deputetëve të Parlamentit të Serbisë një raport për bisedimet me Kosovën.
Kryetari i Komisionit Parlamentar, Millovan Drecun, deklaroi se pret një diskutim gjithëpërfshirës.
Ai deklaroi se nga seanca e posaçme pret diskutime përmbajtjesore dhe theksoi se të gjithë deputetët janë të shqetësuar dhe të përkushtuar për të gjetur zgjidhje për këtë sfidë të vështirë.
Deputetët e Kuvendit të Serbisë në seancën e posaçme të Kuvendit do të shqyrtojnë raportin për procesin e bisedimeve me Kosovën, e që përfshin periudhën nga 15 qershori 2021 deri më 1 shtator 2022.
Raportin do ta prezantojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të informojë deputetët dhe qytetarët për gjendjen aktuale, sfidat, si dhe gjithçka që shteti ka bërë deri më tani për pakicën serbe në Kosovë.
Më 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për dokumentet identifikuese, por nuk patën një konsensus sa i përket çështjes së targave.
Kosova dhe Serbia ranë dakord që Serbia të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe.
Kështu, nga data 1 shtator hyri në fuqi marrëveshja mes dy vendeve, ku qytetarët filluan të lëvizin lirisht vetëm me letërnjoftime.