Vuçiq: Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë
Rajoni dhe Politika

Vuçiq: Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë

10.Mar.2023 08:00
0

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përsëriti qëndrimet se Serbia nuk do të pajtohet e as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, tha ai.

Gjatë një interviste në televizionin Happy, Vuçiq tha më 9 mars se këtë qëndrim ua ka shprehur ndërmjetësve ndërkombëtarë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se i dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 13 dhe 14 mars, dhe se ai gjatë dy ditëve, së bashku me emisarin e BE-së do të tentojë të gjejë rrugën përpara drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij që të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me Lajçakun në Prishtinë.

"Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës", u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit Kurti më 9 mars.

 

Ndërkaq, Lajçak tha se me Kurtin ka zhvilluar një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.

Vizitat e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi vijnë pasi Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka nevojë për negociata të tjera sa i përket propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Ky dokument, që ende nuk është nënshkruar, synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të detyrueshme. Tani, BE-ja po punon me palët në planin e zbatimit të këtij propozimi.

Dokumenti prej 11 nenesh u publikua nga BE-ja më 27 shkurt. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

 

BE-ja insiston në nënshkrimin e Marrëveshjes dhe planit të zbatimit

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë pikëpamje të ndryshme rreth marrëveshjes përfundimtare. Përderisa Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL/

Kurti, i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në takimin e Ohrit
Sinani: Për keqardhje që Lajçaku nuk takohet me shqiptarët e Luginës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration